79 mijë izraelitë e lëshuan vendin në vitin 2024, tejkalon shifrën e të ardhurve të rinj

Tensionet janë shtuar brenda Izraelit dhe me vendet fqinje për shkak të luftës së vazhdueshme të Tel Avivit në Gaza, ku mbi 65 mijë persona janë vrarë që nga tetori i vitit 2023

Rreth 79 mijë izraelitë e kanë lëshuar vendin vitin e kaluar, një shifër dukshëm më e lartë se një vit më parë, mes tensioneve në rritje rajonale për shkak të luftës së vazhdueshme të Tel Avivit në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Sipas Byrosë Qendrore të Statistikave (CBS), popullsia e Izraelit arriti rreth 10.148 milionë banorë, me një normë rritjeje prej 1 për qind.

Nga kjo shifër, rreth 7.758 milionë janë hebrenj (78,5 për qind), rreth 2.13 milionë janë arabë (21,5 për qind) dhe rreth 260 mijë janë shtetas të huaj.

Numërimi përfshin gjithashtu rreth 400 mijë palestinezë në Kudsin Lindor, të cilin Izraeli e pushtoi në vitin 1967 dhe e aneksoi në mënyrë të njëanshme në vitin 1980, një veprim që nuk njihet nga OKB-ja.

Byroja tha se afërsisht 179 mijë fëmijë lindën në Izrael në vitin 2024, ndërsa rreth 50 mijë persona vdiqën.

Ajo tha se rreth 25 mijë emigrantë të rinj mbërritën në Izrael dhe 5 mijë të tjerë hynë përmes programit të ribashkimit familjar.

Përveç kësaj, gati 21 mijë izraelitë që kishin emigruar më herët u kthyen në vend, ndërsa rreth 79 mijë e lëshuan Izraelin.

Sipas shifrave zyrtare, në vitin 2023, rreth 55.300 izraelitë emigruan, ndërsa rreth 27 mijë u kthyen ose u zhvendosën në Izrael.

Tensionet janë shtuar brenda Izraelit dhe me vendet fqinje për shkak të luftës së vazhdueshme të Tel Avivit në Gaza, ku mbi 65 mijë persona janë vrarë që nga tetori i vitit 2023.

Izraeli gjithashtu nisi një luftë kundër Iranit në muajin qershor, sulme pothuajse të përditshme në Liban dhe Siri, si dhe operacione ushtarake në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Kategoritë
BotaLajme