Me afrimin e Kurban Bajramit, shumë besimtarë kanë pyetje për mënyrën e drejtë të kryerjes së kësaj adhurimi të rëndësishëm. Presidenca e Çështjeve Fetare në Turqi ka dhënë përgjigje për disa prej pyetjeve më të zakonshme:
1. Kur fillon dhe kur përfundon koha e therjes së kurbanit?
Therja e kurbanit fillon pas faljes së namazit të Bajramit në vendet ku ai falet. Në vendet ku nuk falet, therja mund të bëhet pas hyrjes së kohës së sabahut ditën e parë të Bajramit. Kurban mund të theret gjatë ditës dhe natës për tri ditë.
2. Kush është i obliguar të therë kurban?
Çdo mysliman i moshës madhore, me mendje të shëndoshë, që nuk është udhëtar dhe ka pasuri mbi nevojat bazë dhe borxhet (në vlerën e 80.18 gr ar), është i detyruar të therë kurban.
3. Çfarë cilësish duhet të ketë kafsha për kurban?
Kafsha duhet të jetë e shëndetshme, pa të meta fizike të rënda. Nuk pranohet si kurban nëse është e sëmurë rëndë, e çalë, e verbër, me pjesë të trupit të prera, e dobët skajshmërisht etj. Disa mangësi të lehta si mungesa e brirëve apo ndonjë plagë e vogël nuk e pengojnë kurbanin.
4. A lejohet që kafsha të alivanoset me rrymë ose anestezi para therjes?
Po, lejohet nëse kjo bëhet për të shmangur vuajtjet, por kafsha duhet të jetë ende gjallë gjatë therjes. Nëse ngordh para therjes, nuk konsiderohet kurban dhe mishi nuk është i lejuar për konsum.
5. A mund të zëvendësohet therja e kurbanit me dhënie të sadakasë?
Jo. Adhurimi i kurbanit përmbushet vetëm përmes therjes së kafshës në mënyrën e duhur. Dhënia e vlerës së saj si sadaka nuk e zëvendëson këtë adhurim.
6. A mund të shtohen ortakë pas blerjes së kafshës për kurban?
Po. Në kafshët e mëdha mund të bëhen deri në 7 ortakë. Edhe pasi kafsha është blerë, mund të shtohen ortakë, për sa kohë që nuk kalojnë 7 persona dhe pjesa e secilit është së paku 1/7.
7. A lejohet që mishi, lëkura apo pjesët e tjera të kurbanit të shiten?
Jo. As mishi, as lëkura dhe as ndonjë pjesë tjetër nuk duhet të shiten. Ato mund të konsumohen nga familja, të dhurohen ose të jepen si sadaka. Nëse shiten, të ardhurat duhet të jepen si lëmoshë.
8. A lejohet që organizatat që kryejnë therje me autorizim të shesin mishin?
Jo, kjo është në kundërshtim me qëllimin e kurbanit. Organizatat duhet ta kryejnë therjen realisht dhe mishin ta shpërndajnë për nevojtarët. Vetëm në raste të jashtëzakonshme, kur mishi nuk mund të shpërndahet dhe ka rrezik të prishet, ai mund të shitet dhe të ardhurat të dhurohen sipas qëllimit të kurbanit.
9. A lejohet blerja e kurbanit me kartë krediti ose me këste?
Po, për sa kohë nuk përfshihet interesi (kamata). Blerja me këste ose me kartë krediti është e lejuar, por borxhi duhet të shlyhet në kohë për të mos rënë në kamatë.
10. A lejohet blerja e kurbanit me kredi bankare?
Vetëm nëse kredia nuk ka interes (kamatë). Marrja e kredisë me interes për therje të kurbanit nuk është e përshtatshme nga ana fetare.