Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se nesër do të paraqesin listën me kandidatë për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Ai sot në një konferencë për media tha se do t’i prijë listës së AAK-së, por do të jetë vetëm kandidat për president.
Haradinaj: Do të jem bartës i listës së AAK-së, jam kandidat për president
“Bartës i listës kam nderin të jem unë, pra vërtet është nder t’i prij një liste me kolegë e kolege të respektuar, me të arritura në shkencë e në jetë, njerëz me integritet që i kanë shërbyer qytetarëve të vendit, jam kandidat nga Aleanca për president të vendit, nuk kemi kandidat për kryeministër, pra nuk jam kandidat për kryeministër”, tha Haradinaj.
Përveç presidencës, Haradinaj tha se Aleanca do të kontribuojë edhe në Kuvend dhe Qeveri.
Haradinaj: AAK do të kontribuojë në Kuvend dhe Qeveri
“AAK do të kontribuojë në Parlament, në Qeveri, dhe me mua si president që të siguroj pavarësinë, sovranitetin, por edhe të mbështesë reformat e nevojshme”, tha ai.
Haradinaj u shpreh i bindur se në mandatin e tij president, Kosova do të anëtarësohet në NATO.
Haradinaj: Si president mund të ndihmoj Kosovën të anëtarësohet në NATO
“Jam thellësisht i bindur që në një mandat të ardhshëm mund ta ndihmoj vendin tim, Kosovën për anëtarësim në NATO”, tha Haradinaj.
Gjatë kësaj konference për media, i pari i AAK-së ka prezantuar disa kandidatë që janë për herë të parë pjesë e listës së kësaj partie për zgjedhjet e 14 shkurtit, duke thënë se AAK ka program që u përgjigjet sfidave dhe kandidatë të përgatitur e me integritet