​Hoti pas shpërthimit të mbrëmshëm: E domosdoshme mbikëqyrja e shfrytëzimit të gazit

Në javën e fundit të dhjetorit dhe në fillim të janarit dy shpërthime të bombolave të gazit kanë tronditur qytetarët e Kosovës, duke lënë të lënduar dhjetëra njerëz.

E kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar të mërkurën se është e domosdoshme të merren veprime për mbikëqyrjen e shfrytëzimit të gazit edhe për industri edhe për familje.

Në një konferencë për media Hoti shprehu edhe njëherë keqardhje për familjet e personave të përfshirë, teksa vlerësoi se institucionet shëndetësore kanë kryer punën e tyre me profesionalizëm.

Hoti: E domosdoshme mbikëqyrja e shfrytëzimit të gazit

“Është e domosdoshme që ne të ndërmarrim veprimet e nevojshme për të mbikëqyrur shfrytëzimin e gazit edhe për industri, edhe për familje edhe për qëllime të tjera. Në këtë drejtim jemi duke u kujdesur. Dje kam pasur disa biseda me ministrat përkatës për të parë një proces të mbikëqyrjes së licencimit të mënyrës së shfrytëzimit të gazit”, tha Hoti.

E mbështetje për personat që mbetën të lënduar mbrëmë në shpërthimin që ndodhi në një lokal në Ferizaj, dha ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj.

Zemaj: Do të mbështesim në çdo mënyrë të lënduarit nga shpërthimi i bombolës së gazit

“Disa të cilët vlerësohet që duhet të trajtohen, apo të kenë trajtim jashtëspitalor, të gjitha mundësitë që i ka MSH do të jenë në mbështetje të tyre dhe të familjarëve të tyre, pa marrë parasysh se ku, si dhe në çfarë vendi duhet të orientohen për trajtim të mëtutjeshëm”, tha Zemaj.

Në fund, kryeministri Hoti ka komentuar edhe miratimin e propozim-vendimit për Dërgimin e Kontingjentit të FSK-së jashtë vendit, miratimi i të cilit u quajt i vonuar nga shefat e grupeve parlamentare, gjegjësisht ata të opozitës, duke e kritikuar Qeverinë Hoti për vonimin e kësaj çështje. E sipas tij, në këtë aspekt nuk ka pasur asnjë vonesë.

Kategoritë
LajmeVendi