Zyrtari saudit mohon pretendimet për heqjen e ndalimit të shitjes së alkoolit

Një zyrtar saudit mohoi të hënën raportimet mediatike që sugjeronin se mbretëria – vendlindja e Islamit – do të heqë ndalimin 73-vjeçar të shitjes së alkoolit, ndalim ky që vlen për besimtarët myslimanë, shkruan Reuters.

Raporti, i cili fillimisht u shfaq javën e kaluar në një blog për verën dhe më pas u përcoll nga disa media ndërkombëtare, pretendonte se autoritetet saudite planifikonin të lejonin shitjen e kontrolluar të alkoolit, ndërsa vendi përgatitet të presë Kampionatin Botëror të Futbollit në vitin 2034. Raporti nuk përmendte ndonjë burim konkret.

Ky pretendim shkaktoi një debat të zjarrtë në internet brenda mbretërisë konservatore, monarku i së cilës mban edhe titullin “Kujdestari i Dy Xhamive të Shenjta” – që i referohet vendeve më të shenjta në Islam, Mekkës dhe Medinës.

Udhëheqësi de facto i Arabisë Saudite, princi i kurorës Mohammed bin Salman (i njohur si MBS), ka promovuar një sërë reformash për të hapur vendin ndaj turizmit dhe investimeve, në përpjekje për të diversifikuar ekonominë e varur nga nafta.

Në vitin 2017, qeveria hoqi ndalimin për gratë që të drejtonin automjete, zbuti rregullat për ndarjen gjinore në hapësirat publike dhe kufizoi fuqinë e policisë fetare.

Një hap i vogël drejt lejimit të konsumit të alkoolit ishte hapja vitin e kaluar e dyqanit të parë të alkoolit në kryeqytetin Riad, i cili i shërben ekskluzivisht diplomatëve jomyslimanë.

Para kësaj, alkooli ishte i disponueshëm vetëm përmes postës diplomatike apo në tregun e zi.

Arabia Saudite ka ligje të rrepta kundër konsumimit të alkoolit, dhe shkelësit përballen me dënime që përfshijnë deportim, gjoba ose burgim. Dënimet me rrahje me kamxhik – që më parë ishin të zakonshme – janë zëvendësuar kryesisht me burgim.

Kategoritë
BotaLajme