Kreu i Institucionit të Energjisë Atomike të Iranit, Mohammad Eslami tha se industria bërthamore në Iran nuk mund të shkatërrohet me bombardime
Kreu i Institucionit të Energjisë Atomike të Iranit, Mohammad Eslami tha se industria bërthamore në Iran nuk mund të shkatërrohet me bombardime, transmeton Anadolu.
Eslami foli për televizionin shtetëror iranian dhe iu përgjigj pyetjeve në lidhje me situatën aktuale.
“Industria bërthamore nuk mund të shkatërrohet me bombardime. Është një industri lokale dhe kombëtare. Progresi i saj do të vazhdojë në mënyrë të qëndrueshme dhe të pandërprerë”, tha Eslami.
Duke komentuar sulmet e SHBA-së ndaj objekteve bërthamore të Iranit, Eslami tha: “Operacioni është goditje e rëndë për rezolutat e OKB-së. Kjo tregon se në botë zbatohet ligji i xhunglës. Nëse nuk je i fortë, nuk mund të mbijetosh”.
Ligji që Parlamenti iranian miratoi disa ditë më parë “që pezullon bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA)”, hyri në fuqi sot me nënshkrimin e presidentit, Masoud Pezeshkian.
– Konflikti që filloi me sulmet e dhunshme të Izraelit ndaj Iranit
Më 13 qershor, Izraeli kreu sulme në shkallë të gjerë duke shënjestruar objektet bërthamore në qytete të ndryshme në Iran, përfshirë nivelin e lartë komandues të ushtrisë.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm iranian, komandanti i përgjithshëm i Gardës Revolucionare, disa komandantë të lartë dhe 9 shkencëtarë bërthamorë u vranë në sulmet izraelite.
Numri total i civilëve të vrarë në sulmet e Izraelit arriti në 935 ndërsa i të plagosurve në 4.870. Në kundërsulmet e ushtrisë iraniane me raketa, sipas Izraelit kanë humbur jetën 28 persona ndërsa janë plagosur 1.272 të tjerë.
Më 22 qershor, SHBA-ja e cila ofron mbështetje të hapur për Izraelin, sulmoi 3 objektet bërthamore të Iranit në Natanz, Fordo dhe Isfahan. Në përgjigje të sulmit të SHBA-së, Irani sulmoi bazën ajrore amerikane “Al-Udeid” në Katar më 23 qershor.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi një armëpushim midis Iranit dhe Izraelit më 24 qershor.