Zyrtarët iranianë paralajmërojnë përgjigje nëse Izraeli rifillon sulmet

Kryeparlamentari Qalibaf tha se përgjigjja e Iranit ka ndryshuar atë që ai e quajti ekuacionin midis një armëpushimi në letër dhe shkeljeve të përsëritura në terren

Zyrtarë të lartë iranianë paralajmëruan se Teherani do të përgjigjet me forcë ndaj çdo sulmi të ri izraelit, pas një përshkallëzimi të shkurtër mes dy palëve të nxitur nga sulmet izraelite në Liban, transmeton Anadolu.

Në një postim në platformën sociale amerikane X, kryeparlamentari Mohammad Bagher Qalibaf tha se përgjigjja e Iranit ka ndryshuar atë që ai e quajti ekuacionin midis një armëpushimi në letër dhe shkeljeve të përsëritura në terren.

“Për sa kohë që nuk ka vullnet të vërtetë për ndërtim besimi, përgjigjja e Iranit do të mbetet e njëjtë”, tha Qalibaf.

Ndërkohë, sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Mohammad Bagher Zolghadr, paralajmëroi kundër asaj që e përshkroi si veprime të mëtejshme të një “aleance SHBA–Izrael”.

“Nëse aleanca sioniste-amerikane bën një gabim tjetër, rajoni do të bëhet ferr për ta”, tha Zolghadr në një mesazh të publikuar nga agjencia Mehr.

Tensionet u përshkallëzuan dje pasi Izraeli bombardoi kryeqytetin libanez Bejrut pavarësisht një armëpushimi në fuqi, duke nxitur Iranin të lëshojë raketa drejt veriut të Izraelit si kundërpërgjigje.

Më pas, Izraeli kreu disa valë sulmesh ajrore ndaj Iranit.

Ushtria iraniane tha në orët e para të ditës së sotme se po ndalon sulmet ndaj Izraelit, duke paralajmëruar një përgjigje “shkatërruese” nëse sulmet izraelite ndaj Libanit vazhdojnë.

Mediat izraelite, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar, raportuan se Izraeli ka rënë dakord të ndalojë sulmet ajrore ndaj Iranit, por do të vazhdojë ofensivën në Libanin jugor.

Kategoritë
BotaLajme