Teuta Haxhiu kritikon Projektbuxhetin 2027: Rritja e pagave vetëm 0.3%, investimet kapitale mbesin larg nevojave të qytetarëve

Teuta Haxhiu kritikon Projektbuxhetin 2027: Rritja e pagave vetëm 0.3%, investimet kapitale mbesin larg nevojave të qytetarëve

Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, në emër të Grupit Parlamentar të Aleancës, ka kritikuar Projektbuxhetin për vitin 2027, gjatë fjalës së saj në seancën e Kuvendit të Kosovës, duke ngritur shqetësime për mungesën e rritjes së pagave, vonesat në rritjen e koeficientit dhe nivelin e ulët të investimeve kapitale.

Haxhiu ka theksuar se buxheti parasheh vetëm një rritje prej 0.3 për qind për pagat, duke vlerësuar se kjo nuk përbën përmirësim të gjendjes së punëtorëve, ndërsa ka kritikuar edhe vendimin që rritja e koeficientit të realizohet nga muaji korrik.

“Pra, kur jemi te pagat, vetëm 0.3% shtohet buxhetit. Pra, nuk ka rritje qysh ka pasur as në 2026-ën. Rritja e koeficientit e paraparë në korrik, qytetarë të nderuar, viti i ka 19 muaj. Nuk 12 muaj, pra jo gjashtë. Pra, një vit ka 12 muaj dhe jo gjashtëmuajsh siç i dalin qeverisë. Koeficienti pritet të rritet në korrik, prandaj pritni deri në korrik, sepse nuk fillon viti sipas qeverisë Kurti nga janari”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka vlerësuar se rritja e koeficientit duhet të llogaritet nga fillimi i vitit, në mënyrë që përfitimi të jetë i barabartë për të gjithë punëtorët.

“Pra, koeficienti do të duhej të rritej me një kalkulim, në qoftë se është për interes të të gjithë atyre që sot edhe punojnë, të rritet nga 1 janari, ky do të ishte një kalkulim i drejtë. Pra, i bie që gjysma e vitit po shkon, për pesë vite të qeverisjes suaj, 1 miliard euro që e përmendëm më herët që nuk është realizuar dhe 300 milionë nga 2026-a i bie gati një vit i ri buxhetor”, ka thënë ajo.

Në fjalën e saj, deputetja e Aleancës është ndalur edhe te realizimi i investimeve kapitale, duke përmendur shpenzimet për vendimet gjyqësore dhe ndikimin e tyre në mjetet që do të duhej të orientoheshin drejt projekteve zhvillimore.

“Pra, struktura e shpenzimeve të investimeve kapitale në këtë raport nëntëmujor për 2026-ën, siç e përmenda edhe më herët, shkon edhe në një pjesë tjetër, 82 milionë janë paguar për vendime gjyqësore, që i bie prapë një e katërta nuk ka shkuar në investime kapitale”, ka theksuar Haxhiu.

Kritikat e saj ajo i ka vazhduar edhe për ndarjet buxhetore për projektet infrastrukturore në komuna, duke veçuar kryeqytetin, Prishtinën, si dhe disa projekte të rëndësishme rrugore.

Haxhiu ka konsideruar se ndarja prej vetëm një milion eurosh për Unazën e Jashtme të Prishtinës është e pamjaftueshme dhe përbën, sipas saj, fyerje për qytetarët e kryeqytetit.

“Mos flasim për investimet, siç e përmendi kryeministrin e për komuna, nëse ndalim vetëm te kryeqyteti, është një një, mos të them një fyerje e vetë qytetarëve, se në fund të fundit secili prej neve, jo vetëm që që jemi të shumtën e kohës edhe në punë këtu, por ka numër shumë të madh të qytetarëve që jetojnë në Prishtinë, për unazën e jashtme të Prishtinës, është një fyerje ndarja prej 1 milion euro. Mos flasim se sa vite vyjnë këtu për shkak se projekti ka rreth 29 kilometra rrugë”, është shprehur ajo.

Ajo ka kritikuar gjithashtu ndarjen e mjeteve për Autostradën e Dukagjinit, duke e cilësuar si mashtrim ndarjen prej vetëm një milion eurosh për këtë projekt.

“Te autostrada e Dukagjinit prapë është një mashtrim, 1 milion euro ndahen, vyjnë dekada për t’u përfunduar”, ka deklaruar Haxhiu.

Në fund, deputetja është ndalur edhe te rruga Kiev–Zahaq, për të cilën ka thënë se mjetet e parapara nuk janë të mjaftueshme për përfundimin e saj as gjatë vitit 2027.

“Tek rruga Kijevë-Zahaq, pra nuk mbulohet as në 2027-ën. Është një shumë minimale e ndarë, i bie që deri tash janë kryer 2 kilometra rrugë. Kërkohen minimum edhe tre vite ose edhe tre vera për t’u përfunduar kjo rrugë”, shtoi Haxhiu.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi