Zvicra vendos të mbajë dhe të rinovojë bunkerët e vjetër – sistemi i mbrojtjes civile tërheq vëmendjen e mediave të huaja

Në një kohë kur rreziqet gjeopolitike në Evropë kanë ndryshuar ndjeshëm, Zvicra ka vendosur të mbajë të paprekur dhe të rinovojë rrjetin e saj të gjerë të bunkerëve dhe dhomave të mbrojtjes civile.

Ky vendim ka zgjuar kureshtjen e mediave të huaja, përfshirë edhe mediumin publik belg RTBF, i cili i ka kushtuar një vëmendje të veçantë strategjisë zvicerane të sigurisë, duke e cilësuar si një model unik në kontinent.

Ndryshe nga shumë vende evropiane që pas përfundimit të Luftës së Ftohtë i braktisën ose i mbyllën strukturat e tyre të mbrojtjes, Zvicra po investon në sanimin dhe modernizimin e bunkerëve të vjetër për të garantuar që çdo banor të ketë një vend të sigurt në rast emergjence.

Zvicra është ndër të paktat vende në botë që zbaton me rreptësi parimin kushtetues se çdo qytetar duhet të ketë një vend të siguruar në një dhomë mbrojtëse në afërsi të vendbanimit të tij.

Mediumi belg RTBF vë në dukje se ky sistem, i ndërtuar kryesisht gjatë dekadave të kaluara, përfshin miliona vende në bunkerë publikë dhe privatë (të ndërtuar nën shtëpi apo pallate).

Megjithatë, një pjesë e mirë e këtyre strukturave, të ndërtuara dekada më parë, kanë nevojë për investime të rëndësishme.

Kategoritë
BotaLajme