Votuesit zviceranë miratuan sot me një shumicë të ngushtë lehtësimin e rregullave për eksportin e armëve, në një referendum të iniciuar nga partitë e majta dhe organizatat joqeveritare për të kundërshtuar reformën e re, sipas projeksioneve të publikuara pas mbylljes së vendvotimeve.
Sipas të dhënave të institutit të sondazheve gfs.bern, 54 për qind e votuesve mbështesin ndryshimin e ligjit, megjithatë ky projeksion fillestar duhet të konfirmohet nga rezultatet përfundimtare.
Përballë përkeqësimit të situatës gjeopolitike, parlamenti zviceran lehtësoi ligjin federal për materialet ushtarake, me qëllim që të mundësojë eksportin drejt 36 vendeve partnere, por me kusht që ky eksport të mos i sigurojë asnjërës palë “përparësi ushtarake” në një konflikt të caktuar, në përputhje me modelin zviceran të neutralitetit.
Kjo listë përfshin vende evropiane, por edhe Argjentinën, Australinë, Kanadanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japoninë dhe Zelandën e Re.
Një tjetër qëllim i reformës, e cila mbështetet nga e djathta dhe qendra, është t’i mundësojë qeverisë që në “rrethana të jashtëzakonshme” të devijojë nga kushtet që zbatohen për vendet jopartnere.
Reforma gjithashtu lehtëson rregullat që u mundësojnë vendeve blerëse të pajisjeve ushtarake zvicerane t’ua transferojnë ato më pas vendeve të tjera.
Industria zvicerane
Socialistët, të Gjelbrit dhe organizatat joqeveritare mblodhën nënshkrime të mjaftueshme për organizimin e një referendumi kundër reformës.
Monika Maire-Hefti, presidente e Caritas-it të Zvicrës, e dënoi reformën, duke deklaruar se ajo “rrit ndjeshëm rrezikun që armët zvicerane të përfundojnë në mënyrë indirekte në luftëra civile ose në duart e regjimeve që shkelin ligjin”.
Sipas mbështetësve të ndryshimit të ligjit, lehtësimi i këtyre rregullave duhet t’i mundësojë industrisë zvicerane të armëve të mbetet konkurruese dhe të ruajë integrimin e saj në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.
Sipas Yvan Pahud, deputet i Partisë Popullore Zvicerane (SVP, e djathta radikale), bëhet fjalë gjithashtu për “ruajtjen, brenda territorit zviceran, të aftësive thelbësore për pavarësinë dhe sigurinë tonë”.
Sipas vlerësimeve të Institutit Ndërkombëtar të Stokholmit për Kërkime mbi Paqen (SIPRI), Zvicra renditet në vendin e 20-të ndër eksportuesit e armëve gjatë periudhës 2021–2025.
Pas një rënieje të regjistruar për dy vite radhazi, eksporti zviceran i pajisjeve ushtarake u rrit me 43 për qind, duke arritur në 948,2 milionë franga zvicerane, ose mbi një miliard euro.
Megjithatë, ky sektor përbën vetëm 0,21 për qind të eksporteve të përgjithshme të mallrave të Zvicrës, ndërsa mbi 86 për qind e eksporteve të këtij sektori destinonin vendet evropiane.
Ukraina
Kundërshtarët e reformës e kritikojnë atë për faktin se nuk përfshin asnjë masë mbështetëse për Ukrainën, pavarësisht kërkesave të paraqitura nga disa vende evropiane që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022.
“Duke pasur parasysh se Zvicra respekton embargon ndaj pajisjeve ushtarake ruse, ajo nuk duhet të furnizojë me pajisje të tilla as Ukrainën”, sqaroi Ministria e Ekonomisë.
Megjithatë, edhe nëse në referendum mbizotëron vota “pro”, transferimet indirekte të armëve drejt Ukrainës do të vazhdojnë t’u nënshtrohen kufizimeve.
Nëse Zvicra vlerëson se armët e eksportuara në njërin prej 36 vendeve partnere mund t’i transferohen më pas Kievit, ajo mund të kërkojë një deklaratë për ndalimin e rieksportit.
Kundërshtarët e reformës konsiderojnë se ajo përbën kërcënim për neutralitetin zviceran, ndonëse Ministria e Ekonomisë garanton se do të lejohen vetëm eksportet që respektojnë neutralitetin. Në rast shkeljeje, mund të vendosen sanksione që përfshijnë edhe ndalimin e plotë të shitjes së armëve ndaj vendit përkatës.
Sipas projeksioneve, 55 për qind e zviceranëve të dielën kundërshtuan gjithashtu rritjen e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH).
Po ashtu, 61 për qind e tyre mbështetën iniciativën e aktivistëve për të drejtat e kafshëve, e cila parashikon ndalimin e shitjes dhe përdorimit të mjeteve piroteknike për fishekzjarre që shkaktojnë zhurmë të lartë.
