Exit poll-et në Spanjë, pas mbylljes së vendvotimeve, tregojnë se kryeministri aktual Pedro Sanchez dhe Partia e tij Socialiste me shumë gjasa do të pësojnë humbje.
Sipas exit poll-eve të para, Partia Popullore konservatore (PP) pritet të fitojë 32,9 për qind të votave, duke siguruar nga 129 deri në 134 vende në parlament. Partia Socialiste Punëtore e Spanjës (PSOE) renditet e dyta me 29,9 për qind të votave dhe nga 119 deri në 124 vende në parlament (121 në vitin 2023).
Partia e djathtë Vox, e cila sipas sondazheve humbi hovin në fazën përfundimtare të fushatës, pritet të fitojë 16,2 për qind të votave dhe nga 44 deri në 48 vende në parlament (33 vende në zgjedhjet e fundit).
Bazuar në këto rezultate, Partia Popullore dhe Vox mund të sigurojnë shumicën parlamentare.
Rezultatet e zgjedhjeve do të publikohen në orën 21:00, kur të mbyllen vendvotimet në Ishujt Kanarie. Ndërkohë, në pjesën tjetër të Spanjës, numërimi i votave do të fillojë në orën 20:00.
Interesant është fakti se edhe exit poll-et e publikuara në orën 20:00 në vitin 2023 parashikonin një fitore të sigurt të Alberto Nunez Feijoo, i cili, sipas sondazheve të atëhershme, do të qeveriste në koalicion me Vox-in, parti që pritej të fitonte dukshëm më pak mandate sesa parashikohet sot. Megjithatë, kutitë e votimit “folën” dhe Sanchez arriti të tejkalonte parashikimet e sondazheve.
Ndërkohë, pjesëmarrja e votuesve ka thyer të gjitha rekordet që nga rikthimi i demokracisë në Spanjë. Deri në orën 18:00 kishin votuar 68,1 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, 15 pikë përqindjeje më shumë se në zgjedhjet e vitit 2023 dhe mbi 4,5 pikë përqindjeje më shumë se rekordi historik i shënuar në mars të vitit 1996, kur deri në të njëjtën orë kishin votuar 63,45 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.