Deputeti i AfD-së: BE-ja do të shpërbëhet, Bosnja dhe Hercegovina do të zhduket, ndërsa Ballkani do të bëhet qendra e Evropës së re

Deputeti i AfD-së: BE-ja do të shpërbëhet, Bosnja dhe Hercegovina do të zhduket, ndërsa Ballkani do të bëhet qendra e Evropës së re

Maximilian Krah, deputet i njohur i Alternativës për Gjermaninë (AfD), pretendon se fundi i Bashkimit Evropian, siç e njohim sot, është “çështje matematike” dhe se kjo mund të ndodhë brenda pesë deri në dhjetë vjetëve. Sipas vizionit të tij, boshti i ri evropian do të shtrihet nga Berlini deri në Ankara, ndërsa Ballkani Perëndimor do të bëhet qendra e rendit të ri evropian.

Krah konsideron se Bosnja dhe Hercegovina nuk do të ekzistojë përgjithmonë, ndërsa Shqipëria mund të përfitojë nga ndryshimet e ardhshme. Ai mbështet politikën e Donald Trumpit, nuk e sheh Rusinë si kërcënim dhe konsideron se e djathta evropiane duhet të ndryshojë qasjen e saj ndaj rimigrimit, shkruan Tirana Examiner.

Shqipëria aktualisht po negocion anëtarësimin në Bashkimin Evropian, mirëpo personi përgjegjës për këtë vend në partinë më të madhe opozitare gjermane nuk beson se BE-ja do të ekzistojë në formën e saj aktuale pas dhjetë vjetësh.

Maximilian Krah është deputet i AfD-së në Bundestag, anëtar i Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian dhe raportues i partisë së tij për Shqipërinë. Në Berlin, ai ka biseduar me Albatros Rexhajn nga Tirana Examiner për të ardhmen e Evropës, Rusinë, migrimin dhe pozitën e Ballkanit Perëndimor.

Fundi i BE-së është një siguri matematikore

I pyetur nëse Bashkimi Evropian do të ekzistojë pas dhjetë vjetësh, Krah u përgjigj se një formë e bashkësisë evropiane do të mbijetojë, por jo Bashkimi Evropian siç e njohim sot. Sipas tij, kjo nuk është çështje dëshirash politike, por matematike.

“Shikoni buxhetet e Spanjës dhe Francës dhe do të kuptoni se po shkojmë drejt një krize të thellë. Këto vende aktualisht po marrin borxhe për të paguar pensionet dhe për t’u kujdesur për të moshuarit, ndërsa kjo është e paqëndrueshme”, tha ai.

Ai konsideron se ndryshimet janë të pashmangshme dhe se pas dhjetë vjetësh Evropa do të jetë politikisht krejtësisht ndryshe.

Megjithëse AfD-ja ende po zhvillon vizionin e saj për rendin e ri evropian, Krah thekson nevojën për integrim ekonomik, tregti të lirë dhe treg të përbashkët, ndërsa organizimi i ardhshëm politik i Evropës vazhdon të diskutohet brenda partisë.

Ai thekson se në Gjermani nevojitet guxim për qëndrime të tilla, pasi elitat janë plotësisht të lidhura me modelin ekzistues të BE-së dhe me idenë se ndryshimet do të nënkuptonin fundin e paqes.

“Unë them: jo, kjo është një mundësi për një Evropë të re”, deklaroi Krah.

Sipas tij, BE-ja nuk do të shpërbëhet për shkak të dallimit ndërmjet barazisë formale të shteteve anëtare dhe hierarkisë joformale të pushtetit, ku Gjermania ka ndikim më të madh se Sllovakia apo Hungaria. Si shembull, ai përmendi sanksionet ndaj Hungarisë kur ajo filloi të ndiqte politikën e saj. Sipas tij, arsyet e vërteta të shpërbërjes janë mungesa e parave dhe e besimit.

“Premtimi i Bashkimit Evropian është paqja dhe mirëqenia për çdo vend. Shikoni Evropën sot: kemi një luftë në fqinjësi, në Ukrainë, dhe nuk po punojmë për t’i dhënë fund, por për ta vazhduar atë. Pra, nuk po sigurojmë paqe”, tha Krah.

Ai shtoi se BE-ja nuk po siguron as mirëqenie në krahasim me SHBA-në apo Azinë.

“Ne jemi në krizë, ndërsa të tjerët po përfitojnë nga revolucioni teknologjik dhe inteligjenca artificiale.”

Ballkani Perëndimor ndërmjet shpërbërjes dhe suksesit

Krah konsideron se AfD-ja thotë të vërtetën që establishmenti politik e hesht, veçanërisht kur bëhet fjalë për Ballkanin.

Si shembull përmend Bosnjën dhe Hercegovinën, të cilën e përshkruan si “një shtet ku as qytetarët e tij nuk duan të jetojnë”, duke pretenduar se një strukturë e tillë “nuk mund të funksionojë përgjithmonë”.

“Ne nuk duam ta shkatërrojmë Bosnjën dhe Hercegovinën, por u themi: ky vend nuk do të ekzistojë përgjithmonë. Nëse jeni të mençur, filloni të mendoni që tani për alternativat”, deklaroi ai.

Krah paralajmëroi se nuk duhet mbështetur në idenë se multilateralizmi evropian do të zgjasë përgjithmonë, pasi po vijnë kohë të tjera.

Nga ana tjetër, Shqipërinë e konsideron një histori suksesi dhe fituese të 30 viteve të fundit. Ai thekson përparimin e saj nga vendi më i varfër i Evropës në një shtet, qytetarët e suksesshëm të të cilit janë të pranishëm edhe në Gjermani, ndërsa diplomacia e tij është e përfaqësuar edhe në Këshillin e Paqes të Donald Trumpit.

“Me Kosovën, tani ekziston edhe një shtet tjetër shqiptar”, tha ai, duke sqaruar se i referohet një shteti me shumicë shqiptare.

“Nëse krijohet një Evropë ndryshe dhe ndodhin ndryshime në Ballkan, Shqipëria vetëm mund të përfitojë. Ajo mund të bëhet më e fuqishme dhe të shërbejë si shembull i stabilitetit dhe shpresës në Ballkanin jugor.”

“Ne jemi me Trumpin, jo me Rusinë”

Duke iu përgjigjur akuzave se AfD-ja është proruse, Krah deklaroi se partia është para së gjithash e orientuar drejt interesave gjermane dhe se në politikën e jashtme mbështet Donald Trumpin.

“E shihni se Trump dëshiron t’i japë fund luftës në Ukrainë. Kushdo që në Gjermani dëshiron përfundimin e luftës, etiketohet si aktor prorus. Qëndrimi zyrtar i Gjermanisë është vazhdimi i luftës. Kur gjermanët ju thonë se AfD-ja është proruse, kjo në fakt do të thotë se ne jemi me Kushnerin, Witkoffin dhe Trumpin”, shpjegoi ai.

Idenë se Rusia mund të sulmojë ndonjë vend anëtar të NATO-s deri në vitin 2030, ai e konsideron jorealiste.

“Rusët nuk kanë arritur të vendosin nën kontroll të plotë as Ukrainën lindore. Rusia vetëm dëshiron të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Pse? Sepse rusët janë të mençur dhe mësojnë nga historia”, tha Krah, duke shtuar se Hitleri dhe Napoleoni do të kishin fituar nëse luftërat e tyre do t’i kishin nisur nga kufiri i sotëm ruso-ukrainas.

Për këtë arsye, pretendon ai, Rusia duhet të luftojë për neutralitetin e Ukrainës për të mbrojtur ekzistencën e saj.

“Rusia nuk është kërcënim. Ajo është një vend me probleme demografike dhe ekonomike. Është koha t’i ofrojmë Rusisë bashkëpunim dhe të rivendosim partneritetin”, përfundoi ai.

Kritikon politikat klimatike dhe të emigracionit

Deindustrializimin e Evropës, Krah ia atribuon çmimeve të larta të energjisë, të cilat, sipas tij, janë pasojë e politikave klimatike evropiane. Ai kritikon veçanërisht Marrëveshjen e Gjelbër Evropiane, duke pretenduar se zbatimi i saj çon në uljen e standardit të jetesës.

Ai paralajmëroi Shqipërinë që të shqyrtojë me kujdes kërkesat që Brukseli do t’i parashtrojë gjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Si shembull përmendi Bullgarinë, e cila, sipas tij, me kërkesë të BE-së ishte detyruar të mbyllte një central bërthamor.

Sa i përket emigracionit, politikën e Angela Merkelit që nga viti 2015 e cilëson katastrofike, por konsideron se ekziston një zgjidhje. Sipas tij, disa parti të djathta gabojnë duke i trajtuar të gjithë emigrantët në të njëjtën mënyrë.

Ai angazhohet për bashkëpunim me emigrantët që janë integruar dhe kontribuojnë në shoqëri, me qëllim largimin nga vendi të atyre që i konsideron problematikë. Këtë qasje e përshkruan me parimin “përça dhe sundo”.

Krah kritikon gjithashtu mënyrën se si një pjesë e së djathtës evropiane promovon të ashtuquajturin rimigrim, përkatësisht kthimin ose dëbimin e emigrantëve. Sipas tij, një politikë e tillë shkakton frikë edhe te emigrantët e integruar mirë, gjë që ai e konsideron gabim strategjik.

Mesazhi për Ballkanin Perëndimor

Vizioni i Krahut për Evropën e zhvendos qendrën e gravitetit nga boshti Paris–Bruksel–Berlin drejt Evropës Qendrore.

“Boshti i ri i Evropës shtrihet nga Berlini deri në Ankara, sepse Turqia, Kaukazi dhe Azia Qendrore po shënojnë rritje të fuqishme. Nëse vizatoni një vijë nga Berlini deri në Turqi, cili rajon ndodhet përgjatë kësaj rruge? Ballkani Perëndimor”, shpjegoi ai.

“Pra, mirë se vini. Sipas vizionit tim, Ballkani Perëndimor do të bëhet zemra e arkitekturës së re evropiane. Kjo është arsyeja pse ky rajon më intereson kaq shumë dhe mezi pres vizitën time të ardhshme në Shqipëri”, përfundoi Krah.

Kategoritë
LajmeRajoni