Mes të dëbuarve janë këshilltari i tretë në Ambasadën e Iranit në Sarajevë, si dhe dy atashe, ndërsa nuk dihet statusi diplomatik i shtetasit të katërt iranian.
Bosnjë dhe Hercegovina ka dëbuar katër shtetas iranianë, përfshirë tre diplomatë, nën dyshimet për spiunazh, raportuan të dielën mediat lokale.
Ministri i Jashtëm Elmedin Konakoviq ka nënshkruar javën e kaluar një vendim për dëbimin e katër shtetasve iranianë, pas informacioneve të marra nga agjencitë e sigurisë, sipas portalit të lajmeve Istraga.
Sipas raportimit, të katër personat janë larguar nga vendi më 25 nëntor.
Mes të dëbuarve janë Hossein Mahdian Fard, këshilltar i tretë në Ambasadën e Iranit në Sarajevë, si dhe dy atashe, Morteza Fazali dhe Ehsan Sajjadi Monazzah, thuhet në raportim.
Statusi diplomatik i personit të katërt, të identifikuar si Seyed Yaser Seyed Mohammad, ende nuk është konfirmuar.
“Kjo është çështje e sigurisë. Roli ynë ishte të vepronim duke përcjellë kërkesën. Kjo është çështje e agjencive të sigurisë dhe ato mund të komentojnë nëse dëshirojnë”, citohet të ketë thënë Konakoviq, sipas portalit të lajmeve Raport.