Zhvillime të shumta pati së fundi në vendin tonë. E si shkak i shumë zhvillimeve që lidhen me sigurinë dhe drejtësinë në vend, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tanimë po “ruhet” nga zyrtarët policorë në vend.
Siç mëson lajmi.net, ministrja Haxhiu tashmë është nën sigurinë e shtuar të Policisë së Kosovës.
Edhe pse nuk dihet nëse ministrja Haxhiu është kërcënuar drejtpërdrejtë, asaj i është ofruar siguri më e madhe policore.
Ajo është përcjellur edhe sot nga zyrtarë policorë, të cilët do të sigurojnë atë përgjatë kohës sa “vlerësohet se është në rrezik të mundshëm”.
Lajmi.net ka pyetur edhe Policinë e Kosovës në lidhje me këtë çështje, por deri në momentin e publikimit nuk ka pasur ndonjë përgjigje.
Në kuadër të këtyre zhvillimeve që lidhen me ministrinë e Drejtësisë hy pikërisht arratisja e Faton Hajrizit nga burgu i Smrekonicës.
Hajrizi arriti që më 6 korrik të arratiset për të nëntën herë radhazi nga shumë burgje të vendit.
Por këtë herë, situate doli edhe më keq.
Në Serbi u raportua për vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri, derisa në vendin e ngjarjes u gjetën dokumentet e kosovarit, Artan Hajrizi.
Artan Hajrizi rezultoi të jetë vëllai i Fatonit. Pas nisjes së kërkimeve nga autoritetet serbe për këtë të fundit, vetë Artan Hajrizi u deklarua për lajmi.net duke theksuar se Fatoni ia kishte vjedhur atij dokumentet dy ditë më parë në Gjermani, saktësish në Hanover.
Pas vrasjes së policit serb, Policia aktivizoi mbi 200 zyrtarë policorë, helikopterë e dronë të shumtë për të kërkuar të dyshuarin. Pas më shumë se 40 orë kërkim, ministri i Brendshëm serb, Iviça Daçiq deklaroi se Hajrizi është vrarë nga policia serbe.
Ai tha se Hajrizi kishte refuzuar të dorëzohej dhe kësisoj zyrtarët policorë kanë shtënë me armë mbi të.
Madje mediat serbe publikuan edhe fotografi që thonin se janë të Faton Hajrizit. Mbrëmë Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës theksoi se nga rezultatet e gishtërinjve del se trupi të cilin thanë serbët se është vrarë është i Hajrizit.
Por të njëjtit kanë theksuar se janë në pritje të marrjes së trupit të Hajrizit dhe kthimit në Kosovë. E në vazhdën e shumë zhvillimeve është kërkuar edhe dorëheqja e ministres Albulena Haxhiu, e cila edhe ka nën drejtim Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Përpos kësaj, ministrja Haxhiu prej dy ditësh është duke u intervistuar nga Prokuroria Speciale në Kosovë.
Sot është dita e dytë me radhë që Haxhiu është intervistuar nga Prokuroria, pikërisht pas deklaratës së saj se arratisjet nga burgjet e Kosovës janë lehtësuar dhe organizuar nga Serbia.
Ditë më parë, Haxhiu shkroi në Facebook se arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës – e mes të arratisurve ishte edhe Faton Hajrizi – janë lehtësuar dhe organizuar nga Serbia.
“Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës”, ka shkruar ministrja Haxhiu.
Ndryshe Serbia vazhdimisht ka tentuar që ngjarjen me Faton Hajrizin ta përdorë politikisht duke thënë se ishte “sulm terrorist” Madje këta të fundit shkuan edhe më larg duke u munduar që rasti të “barazohet” me atë të Banjskës./Lajmi.net/