Siç ishte parashikuar debati mes dy kandidatëve për president në Francë u fokusua te Rusia. Macron akuzoi rivalen e tij, si të financuar nga rusët, ndërsa ajo i tha presidentit se ishte një grua e lirë. Le Pen duket se ka zgjedhur të bëjë ndryshe këtë debat, duke ia lënë vendin Macron që të humbë qetësinë.
Presidenti Emmanuel Macron dhe rivalja e tij e ekstremit të djathtë Marine Le Pen u përplasën të enjten në debatin përpara zgjedhjeve presidenciale të së dielës.
Debati mes dy kandidatëve ishte i ashpër duke u fokusuar te marrëdhëniet me Rusinë dhe shaminë e grave islamike.
Me luftën në Ukrainë që eklipsoi fushatën, Macron përmendi një hua që partia e Le Pen ka marrë nga një bankë çeko-ruse përpara fushatës së saj të 2017.
Macron: “Ju jeni të varur nga qeveria ruse dhe nga Vladimir Putin. Kur flisni me Rusinë, flisni me bankierin tuaj.”
Macron gjithashtu përmendi edhe njohjen e Krimesë si pjesë të Rusisë nga Le Pen.
Liderja e ekstremit të djathtë iu përgjigj rivalit të saj, se e mori huan nga banka ruse, sepse nuk iu dha një e tillë në Francë.
Le Pen: “Unë jam një grua absolutisht e lirë dhe partia ime mori hua nga banka çeko-ruse sepse nuk gjetëm financim në Francë, bankat refuzuat të na jepnin kredi.”
Përplasja më shpërthyese erdhi kur Le Pen konfirmoi se ajo po i përmbahej politikës së saj kontraverse të ndalimit të mbajtjes së shamisë nga gratë myslimane në publik, duke e përshkruar atë si një uniformë të imponuar nga islamikët.
Presidenti Macron pretendoi se duke ndaluar hixhabin, Le Pen do të shkaktonte një luftë civile në Francë.
Ajo u zotua gjithashtu se do t’i jepte fund imigrimit anarkik dhe masiv në Francë, duke pretenduar se po përkeqësonte krimin që sipas saj po bëhej i padurueshëm për njerëzit në të gjithë vendin.
Francezët do t’u drejtohen të dielën kutive të votimit për të votuar dy kandidatët më të votuar nga zgjedhjet e 10 prillit, pra presidentin aktual Emmanuel Macron dhe partinë e tij liberale dhe liderin e së djathtës ekstreme Marine Le Pen.