Zgjedhjet në BE: “Tendencë përshpejtuese të një reagimi kundër globalizmit, ringjallje të populizmit në Perëndim”

“Nacionalizmi është në thelb një kërcënim për një projekt mbikombëtar si BE-ja”, tha Mark Hannah, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin për Çështjet Globale me seli në New York

Partitë e ekstremit të djathtë arritën sukses të dukshëm në zgjedhjet parlamentare të Evropës, edhe pse partitë kryesore ruajtën një shumicë komode.

Progresi i bërë nga partitë e ekstremit të djathtë mund të mos jetë befasues, por tregon potencialin që fraksionet euroskeptike të ushtrojnë ndikim më të madh në drejtimin e Bashkimit Evropian në të ardhmen, vlerëson për Anadolu, Mark Hannah, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin për Çështjet Globale me seli në New York.

“Rezultatet e zgjedhjeve duket se po përshpejtojnë një tendencë të përgjithshme në Perëndim, si një reagimi kundër globalizmit dhe një ringjallje të populizmit”, tha Hannah, duke shtuar:

“Drejtimi i politikës evropiane, siç dëshmohet nga rezultatet, nuk ishte befasues, por dallimet ishin befasuese”.

“Mosbesimi ndaj elitave politike është një karakteristikë përcaktuese e populizmit dhe anketa jonë zbulon se më shumë se një e treta e gjermanëve dhe francezëve mendojnë se vendimet e dëmshme të elitave politike janë ndër sfidat më të mëdha me të cilat përballen vendet e tyre”, thekson ai.

Hannah iu referua sondazhit të quajtur “Atlanticizmi i Ri” të realizuar nga Instituti për Çështje Globale, i cili pyeti pjesëmarrësit për sfidat më të mëdha me të cilat përballen vendet e tyre.

Më shumë se një e treta e të anketuarve në Gjermani dhe Francë dhe shumica e njerëzve në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar besojnë se vendimet e dëmshme nga elitat politike janë ndër sfidat më të mëdha me të cilat përballen vendet e tyre.

“Nacionalizmi është në thelb një kërcënim për një projekt mbikombëtar si BE-ja, kështu që po, ngritja e partive nacionaliste, si ajo në Mbretërinë e Bashkuar që na solli Brexit-in, janë një kërcënim”, tha Hannah në lidhje me atë nëse zgjedhjet po kontribuojnë në një kërcënim në rritje të ekstremit të djathtë në BE.

Udhëheqësja franceze e ekstremit të djathtë Marine Le Pen “e quajti votimin një refuzim të (Presidentit Emmanuel) Macron dhe politikave të tij pro-evropiane dhe një kthim të sovranitetit”.

– Rezultatet tronditin liderët e Francës dhe Gjermanisë

Partia Popullore Evropiane e qendrës së djathtë (EPP) pritet të fitojë 186 vende, sipas projeksionit të fundit të publikuar nga BE.

Partia e Gjelbër/Aleanca e Lirë Evropiane ra në vendin e gjashtë në legjislaturë, duke arritur të sigurojë vetëm 53 vende.

Socialistët dhe Demokratët fituan 135 vende, Partia e Rinovimit Evropian 79 vende dhe e Majta 36 vende.

Franca dhe Gjermania janë vendet më të prekura nga rezultatet e zgjedhjeve.

Presidenti francez Macron, pas një disfate të konsiderueshme në zgjedhjet evropiane nga partia e ekstremit të djathtë, njoftoi shpërbërjen e dhomës së ulët të parlamentit, të njohur si Asambleja Kombëtare, dhe bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme.

Pas rezultateve fillestare, partia e ekstremit të djathtë në Francë doli si partia kryesuese, duke siguruar rreth 31 për qind të votave, duke tejkaluar partinë e kryesuar nga Macron, me rreth 15 për qind.

“Është një strategji me rrezik të lartë dhe me shpërblim të lartë dhe sinjalizon që Macron ka shumë besim”, tha Hannah, duke shtuar:

“Të mos harrojmë se Macron ka përkrahur llojin e tij të anti-globalizmit, por në një shkallë më pak ekstreme gjeografike dhe funksionale: Promovimi i tij i autonomisë strategjike do të kërkonte të largonte Evropën nga përparësia ushtarake e SHBA-së dhe garancitë e sigurisë. Anketa jonë tregoi se afërsisht një e treta e qytetarëve francezë duan që Evropa të menaxhojë plotësisht mbrojtjen e saj dhe të ndjekë një marrëdhënie neutrale me SHBA-në”.

Ngjashëm me Macron-in, kancelari gjerman Olaf Scholz u përball me një pengesë të konsiderueshme sipas rezultateve fillestare, me socialdemokratët e tij që siguruan vetëm 14 për qind të votave.

Në anën tjetër, Partia Demokratike Kristiane doli si partia kryesuese me 30 për qind, ndërsa partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë zuri vendin e dytë me 15,9 për qind.

Duke iu referuar sondazhit, Hannah tha se gjermanët shumë pak deklaruan se “kam miq që kanë pikëpamje politike të cilat janë të kundërta me mua”, ndërsa më shumë besojnë se “agjendat politike të partive politike që unë kundërshtoj kërcënojnë mirëqenien e vendit tim”.

“Pra, polarizimi politik në Gjermani duket se ndihet në një nivel shumë personal dhe zotimet perceptohen të jenë shumë të larta”, tha ai.

Kategoritë
BotaLajme