Zëvendësdrejtori i FBI-së, Dan Bongino, ka kërcënuar se do të japë dorëheqjen nëse presidenti amerikan Donald Trump nuk shkarkon Prokuroren e Përgjithshme të SHBA-së, Pam Bondi, për shkak të përplasjeve që kanë lindur rreth hetimit të çështjes Jeffrey Epstein.
Jeffrey Epstein, një ish-financier i akuzuar për trafikim njerëzish, abuzim seksual dhe pedofili, nuk u dënua në gjykatë, pasi u raportua se kreu vetëvrasje në qelinë e tij, sipas autoriteteve amerikane.
Për shkak të lidhjeve të Epstein me figura të fuqishme në Shtetet e Bashkuara, rasti ka nxitur shumë teori konspiracioni. Gjatë fushatës zgjedhore, Trump premtoi se do të zbulonte të gjitha informacionet sekrete mbi këtë çështje.
Megjithatë, publikut iu dorëzua vetëm raporti i hetimit të FBI-së dhe Departamentit të Drejtësisë, që konkludoi se “nuk ekziston asnjë listë klientësh” dhe se “nuk pati asnjë shantazh”.
Shumë nga anëtarët e rrethit të Trumpit mbetën të pakënaqur me këto përfundime, veçanërisht Bongino, i cili, si zbuloi Axios, i kërkoi Trumpit të kërkojë dorëheqjen e Bondit, përndryshe ai vetë do të largohej nga pozicioni.
Thelbi i konfliktit mes Bondi dhe Bongino është një video e publikuar nga Departamenti i Drejtësisë, të cilën Bongino e cilëson si “dëshminë përfundimtare” se Epstein kreu vetëvrasje.
Bongino dhe ekipi i tij vunë re se në incizim mungonte një orë e tërë, dhe besojnë se edhe ky hetim është pjesë e përpjekjeve për të fshehur të vërtetën.
Probleme me Bondin ka edhe drejtori i FBI-së, Kash Patel, megjithëse të dy fillimisht mbështetën raportin e hetimit.
Çështja mori përmasa të reja kur në debat publik u përfshi edhe Elon Musk, ish-punëtor i Trumpit, i cili deklaroi se Trump ishte një nga klientët e Epsteinit. Trump e mohoi këtë dhe, pasi raporti u bë publik, iu kërkoi gazetarëve të mos e pyesnin më për këtë rast.
Bongino ka munguar një ditë pune javën e kaluar dhe, sipas një ndihmësi të tij të përmendur nga Axios, nuk ka ndërmend të kthehet përveç nëse Bondi shkarkohet.