Trupat ukrainase në rajonin e Donetskut kanë arritur të zënë rob lufte dy kinezë, që po luftonin për ushtrinë ruse.
“Ushtria jonë kapi dy shtetas kinezë që luftonin si pjesë e ushtrisë ruse. Kjo ka ndodhur në rajonin Donetsk – territor i Ukrainës. Kemi dokumentet e këtyre të burgosurve, kartelat bankare dhe të dhënat personale”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Kemi informacione që sugjerojnë se numri i shtetasve kinezë që shërbejnë në njësitë e forcave pushtuese është larg më i madh se dy. Aktualisht po mbledhim informacione. Inteligjenca dhe organet e tjera janë të përfshira në këtë. Kam udhëzuar ministrin e Jashtëm ukrainas që të kontaktojë menjëherë me Pekinin për të parë se si do të reagojë Kina në këtë”, shtoi Zelensky.
Që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, Zelensky ka alarmuar për disa shtete si Irani, Bjellorusia e Koreja e Veriut po e ndihmojnë Rusinë. /Telegrafi/