Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të dielën se beson se mund ta shpëtojë marrëdhënien e tij me presidentin amerikan Donald Trump pas takimit të tyre shpërthyes në Zyrën Ovale, por theksoi se bisedimet duhet të vazhdojnë pas dyerve të mbyllura.
Zelensky përsëriti se Ukraina nuk do t’i japë asnjë territor Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje. Ai tha se është ende i gatshëm të nënshkruajë një marrëveshje për mineralet me SHBA-në dhe e përshkroi diskutimin e së dielës me liderët evropianë për dërgimin e një drafti të planit të paqes në SHBA si një ngjarje kyçe.
Në një takim urgjent të transmetuar drejtpërdrejt të premten, Trump e akuzoi Zelenskyn se është mosmirënjohës për ndihmën amerikane, se po tregon mungesë respekti ndaj vendit dhe se po rrezikon Luftën e Tretë Botërore, duke vënë në pikëpyetje mbështetjen e vazhdueshme të Uashingtonit për Ukrainën në luftën e saj trevjeçare me Rusinë.
Zelensky foli me gazetarët në aeroportin e Londrës pas samitit me liderët evropianë të dielën. Edhe pse u shfaq në humor të mirë dhe u falënderua vendet evropiane për mbështetjen e tyre, ai u tregua i kujdesshëm për të balancuar shqetësimin e tij për ngjarjet në Zyrën Ovale të premten me dëshirën e qartë për të vazhduar bisedimet me Uashingtonin.
Ai tha se nuk beson se SHBA do të ndalojë ndihmën për Ukrainën, sepse si “liderë të botës së civilizuar” nuk do të dëshironin të ndihmonin presidentin rus Vladimir Putin.
Megjithatë, ai shtoi se është i përgatitur për çdo rezultat.
“Sa i përket shpëtimit të marrëdhënieve, mendoj se marrëdhënia jonë do të vazhdojë. Nuk mendoj se është e përshtatshme që këto diskutime të jenë plotësisht të hapura. Formati i asaj që ndodhi nuk solli asgjë pozitive apo shtesë për ne si partnerë,” tha Zelensky për gazetarët përmes një përkthyesi pas samitit në Londër.
Zelensky, i dukshëm i tronditur, mbërriti të shtunën në Londër, ku u prit me një përqafim të ngrohtë nga kryeministri britanik Keir Starmer dhe me duartrokitje nga mbështetësit përgjatë Downing Street.
Në samitin e së dielës, Starmer deklaroi se liderët evropianë ishin dakord të hartonin një plan paqeje për Ukrainën, të cilin do t’ia paraqesin SHBA-së, me shpresën se Uashingtoni do të ofrojë garanci sigurie, të cilat Kievi i konsideron kyçe për të penguar Rusinë.