Xhaferoviq pas takimit me Erdoğan-in: Turqia ka rol shumë stabilizues në rajon

Erdoğan, i cili mbërriti sot për të vizituar Bosnjë e Hercegovinën, u prit me nderimet më të larta shtetërore para ndërtesës së Presidencës së BeH-së

Republika e Türkiye-s ka një rol shumë stabilizues në rajonin e Ballkanit Perëndimor, porositi kryesuesi i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, pas takimit me presidentin e Republikës së Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA). (AA).

Erdoğan, i cili mbërriti sot për të vizituar Bosnje e Hercegovinën, u prit me nderimet më të larta shtetërore para ndërtesës së Presidencës së BeH-së.

Me vizitën ne Sarajevë, presidenti turk Erdoğan filloi turneun treditor rajonal që përveç Bosnjë e Hercegovinës përfshin edhe Serbinë dhe Kroacinë.

“Republika e Türkiye-s dhe BeH kanë marrëdhënie dhe lidhje të jashtëzakonshme miqësore, vëllazërore. Ato janë historike, politike, ekonomike dhe kulturore. Presidenti Erdoğan i jep një ton të veçantë këtyre marrëdhënieve. Do të vazhdojmë t’i forcojmë marrëdhëniet dhe lidhjet tona”, tha Xhaferoviq.

Ai kujtoi se kjo është vizita e katërt zyrtare midis BeH-së dhe Türkiye-s.

“Nuk ka asnjë shtet në botë me të cilin Bosnja e Hercegovina në këtë mandat katërvjeçar, por mund lirisht të themi edhe në mandatet e kaluara, ka pasur lidhje dhe bashkëpunim kaq të ngushtë sa në këtë mandat që ka qenë marrëdhënia dhe bashkëpunimi me Türkiye-n”, tha Xhaferoviq.

Siç tha ai, shumë gjëra pozitive do të mbahen mend për këtë mandat dhe për përbërjen e Presidencës së BeH-së dhe marrëdhëniet që ka pasur me Türkiye-n.

“Në takime kam biseduar për dy gjëra shumë të rëndësishme, autostradën Sarajevë – Beograd – Sarajevë dhe dokumentet, gjegjësisht marrëveshjet ndërkombëtare të miratuara nga BeH dhe Türkiye. Kjo do të vazhdojë të zbatohet në periudhën e ardhshme. Pres që kjo të intensifikohet në periudhën e ardhshme”, tha Xhaferoviq.

Sipas tij, gjatë këtij mandati nuk arritën të bëjnë gjithçka që mundën deri në fund, kur është fjala për realizimin e këtyre projekteve, për shkak të pandemisë, bojkotit, krizës politike brenda BeH-së.

“Shpresoj se po vjen koha e realizimit të këtij projekti. Një çështje tjetër është çështja e marrëveshjes së tregtisë së lirë. Republika e Türkiye-s i ka dhënë BeH-së kushtet më të favorshme në krahasim me të gjitha vendet e tjera të botës kur bëhet fjalë për lirinë e tregtisë. Duhet të përfitojmë nga kjo. Shkëmbimi jonë tregtar është diku nga 850 deri në 900 milionë dollarë. Mund të jetë shumë më mirë dhe më shumë. Ne i kemi vënë vetes synimin që këtë vit të jetë një miliard. Ka shumë sfera në të cilën mund të bashkëpunojmë. Sot në takim dëgjuam disa gjëra konkrete nga Erdoğan. Çështja e zonave industriale është një fushë e veçantë në të cilën duhet të zhvillohet bashkëpunimi mes dy vendeve në të ardhmen. Grupet teknike që duhet të vijnë në BeH kur është fjala për autostradën. Çështje e veçantë është bashkëpunimi në fushën e energjisë, formimi i grupit punues për energjinë, për të cilën folëm sot në takim dhe për lëvizjet e qytetarëve të Türkiye-s dhe BeH-së në BeH dhe Türkiye përmes letërnjoftimeve”, shpjegoi Xhaferoviq.

Siç tha ai, ekziston një procedurë që duhet të zbatojë Këshilli i Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës.

Ai tha se Republika e Türkiye-s është fuqimisht e përkushtuar për integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë e Hercegovinës dhe për reformat që ka ndërmarrë BeH-ja

“Türkiye mbështet zgjatjen e mandatit të ALTHEA-s, e cila na pret në nëntor. Një çështje tjetër që ne e theksuam veçanërisht sot është çështja e marrëdhënieve të Türkiye-s me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Türkiye ka marrëdhënie të mira, miqësore me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe luan një rol shumë stabilizues në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kur bëhet fjalë për ne, brenda BeH-së, Türkiye dhe Erdoğan zhvillojnë një politikë të ekuilibruar dhe kanë marrëdhënie të mira me të gjithë ne në BeH, pavarësisht se cilit komb i përkasim dhe nga cila pjesë e BeH-së vijmë”, theksoi Xhaferoviq.

“E falënderuam veçanërisht për rolin e tij udhëheqës në botë, ndërmjetësimit në luftën midis Ukrainës dhe Rusisë”, shtoi ai.

Ndryshe, presidenti turk Erdoğan po qëndron për vizitë zyrtare në Bosnjë e Hercegovinë në kuadër të një turneu ballkanik, në kuadër të të cilit ai do ta vizitojë edhe Serbinë dhe Kroacinë.

Kategoritë
BotaLajme