Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 29 maj deklaroi se do të japë urdhër që të mos realizohen kontratat për shitjen e armëve dhe municionit në rastet kur ekziston dyshim për keqpërdorim dhe dërgim në fushëbetejën në Ukrainë.
Vuçiq e tha këtë gjatë edicionit të lajmeve në Radio Televizionin e Serbisë (RTS), duke komentuar deklaratën e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Federatës Ruse (SVR), e cila më herët akuzoi Serbinë se, megjithëse ka shpallur neutralitet zyrtar, vazhdon të furnizojë me municion Ukrainën.
Ai tha se për këtë çështje ka biseduar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, gjatë vizitës në Moskë në fillim të majit, dhe se është krijuar një grup pune i përbashkët mes Serbisë dhe Federatës Ruse për të vërtetuar të gjitha faktet.
“Unë gjithsesi do të jap urdhër dhe paralajmërim që, kudo që ekziston dyshim për keqpërdorim të ‘përdoruesit përfundimtar’ dhe dërgim në fushëbetejë, e që ne kemi njohuri për këtë – që kontratat e tilla të mos realizohen”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se kjo është bërë edhe në rastin e një kontrate të lidhur nga “Jugoimport SDPR”.
Vuçiq theksoi se disa nga pretendimet në deklaratën e SVR-së nuk janë të vërteta.
“Për shembull, ata saktë thonë se ekziston një kontratë e Jugoimport-it me Republikën Çeke për shitjen e raketave te përdorues përfundimtar, por lejet nuk janë lëshuar dhe asnjë nga ato raketa nuk është dorëzuar”, tha ai.
Ai shtoi se fabrikat e industrisë së mbrojtjes duhet të mbijetojnë dhe të punojnë.
“Nëse nuk mund të eksportojmë në Amerikë, në vendet e BE-së, nuk mundemi në Turqi, as në vendet arabe në pjesën aziatike, e as në Afrikë – ku të eksportojmë armët? E kemi ndaluar eksportin e armëve, tani bëhet fjalë vetëm për municionin,” tha Vuçiq.
Ai bëri të ditur se të enjten në mbrëmje ka biseduar me ambasadorin rus në Serbi dhe se Beogradi zyrtar do të vazhdojë të mbajë marrëdhënie të mira “me të gjithë”.
Në deklaratën e publikuar më 28 maj në faqen zyrtare të SVR-së u përmendën emrat e disa kompanive shtetërore dhe private që merren me prodhimin e armëve dhe municioni, i cili thuhet se ka përfunduar në duart e ushtrisë ukrainase.
Sipas SVR-së, kompanitë serbe të industrisë së mbrojtjes kanë furnizuar qindra mijëra predha për raketahedhës dhe obusë, si dhe miliona plumba për armë të lehta.
“Mbulesë për këto aktivitete antiruse paraqet një skemë e thjeshtë që përfshin përdorimin e certifikatave të rreme të përdoruesve përfundimtarë dhe vendeve ndërmjetëse. Ndër më të shpeshtat janë vendet e NATO-s, kryesisht Çekia, Polonia dhe Bullgaria. Kohëve të fundit po përdoren edhe kanale më ekzotike përmes pjesëmarrjes së disa shteteve afrikane,” thuhet në deklaratën e SVR-së, transmeton Radio Evropa e Lirë.