Vuçiç: Tregtia e armëve me Izraelin do të vazhdojë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se Serbia do të vazhdojë shitjen e armëve ndaj Izraelit dhe theksoi se mes dy vendeve ekziston një “bashkëpunim i shkëlqyer në fushën e mbrojtjes.”

Lidhur me pretendimet e disa mediave opozitare që e quajnë Serbinë “fabrika e armëve e Izraelit”, Vuçiç tha se nuk dëshiron t’i komentojë më tej këto akuza.

Gjatë një vizite në fermën e familjes Đorđević në fshatin Mramorac, pranë Smederevska Palankës, Vuçiç u tha gazetarëve:
“Miqtë tanë janë si izraelitët ashtu edhe arabët dhe këtë nuk do ta komentoj.”

Presidenti theksoi se mes Serbisë dhe Izraelit ekziston bashkëpunim i ndërsjellë ushtarak.

“Ata na shesin armë, ne u shesim armë atyre dhe kjo do të vazhdojë.”

Ai shtoi gjithashtu se Serbia po vazhdon përpjekjet për modernizimin e ushtrisë dhe zhvillimin e një ‘ushtrie digjitale’.

“Do të kemi ushtrinë më moderne, sepse ajo që është vendimtare është teknologjia që shihni në fushëbetejat moderne. E shihni ndikimin e ‘Starlink’-ut në Ukrainë. Ajo që do të bëjmë ne do të jetë ndryshe nga gjithçka që keni parë deri tani.”

Vuçiç kujtoi se për Ushtrinë e Serbisë janë blerë sisteme të reja ushtarake, përfshirë “Hermes” dhe “SkyStriker”, ndërsa disa pajisje të reja ende nuk janë prezantuar publikisht.

“Disa i keni parë, disa nuk i keni parë,” tha ai.

Kur u pyet nëse pajisjet e reja do të paraqiten në një paradë ushtarake, Vuçiç tha se nuk është planifikuar një paradë, por mund të organizohet një prezantim i veçantë.

Ai shtoi gjithashtu se disa nga avionët që përdor Ushtria e Serbisë mund të arrijnë lartësinë prej 12 kilometrash në më pak se dy minuta e gjysmë.

Presidenti Vuçiç kohët e fundit ka konfirmuar edhe informacione lidhur me raketat hipersonike, gjë që ka shkaktuar debate veçanërisht në Kroaci.

Kategoritë
LajmeRajoni