Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, vizitoi Qendrën Kombëtare të Dispeçimit të ripërtërirë të Elektromrežës së Serbisë, pas së cilës në një deklarim për mediat komentoi sulmin e Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Iranit.
Nga deklarata e Vuçiçit duket se ai nuk beson në epërsinë amerikano-izraelite në këtë konflikt.
“Nuk kuptoj asgjë. Për Serbinë e vogël janë bërë përgatitje më të mëdha sesa për Iranin. Gjithçka duket sikur është bërë në mënyrë sipërfaqësore. Ndërsa pasojat mund të jenë katastrofike. Do të marrim masa dhe do t’ju informojmë për gjithçka të shtunën ose të dielën”, tha Vuçiç.
Ai vlerësoi se situata është serioze dhe potencialisht destabilizuese për zhvillimet globale, duke theksuar se sipas tij shumë aktorë kanë hyrë në këtë krizë të papërgatitur.
“Kjo vërtet nuk është normale. Nuk e kuptoj kush e ka planifikuar këtë dhe çfarë kanë menduar, se me vrasjen e Hameneit gjithçka do të përfundonte. Prej një muaji them se Amerika do ta sulmojë Iranin, më bëni budalla, ndërsa kur ndodh thoni ‘shtet, ndihmo’. Të gjithë kanë hyrë të papërgatitur, përveç Iranit. Nuk ka më ‘do ta zgjidhim lehtë’. Çfarë do të bënim tani sikur të mos kishim rezervat e naftës dhe të tjerat?”, tha Vuçiç.
Ai paralajmëroi se publiku së shpejti do të informohet më në detaje për masat që Serbia mund të ndërmarrë në lidhje me situatën e re.




















