Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, tha dje se “bisedoi gjatë dhe në detaje” për 30 minuta me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, por sot Bashkimi Evropian publikoi një deklaratë krejt të ndryshme.
Zëdhënësi i BE-së, Stefan de Keersmaecker, sqaroi:
“Presidentja von der Leyen pati një bisedë të rastësishme, spontane me presidentin Vučić, në sallon para darkës zyrtare në Sevillë. Ajo pati rastin të shkëmbejë disa fjalë me shumë liderë, përfshirë presidentin Vučić. Pra, nuk ishte një takim bilateral zyrtar dhe nuk kemi asgjë tjetër konkrete për të shtuar.”
Vučić kishte bërë me dije dje se biseda me von der Leyen zgjati 30 minuta. Sipas mediave serbe, ata diskutuan për rrugën evropiane të Serbisë, çështje ekonomike dhe vendimet që presin si Bashkimin Evropian, ashtu edhe Serbinë në periudhën në vijim.
“Mendoj se ishte jashtëzakonisht e dobishme. Biseduam shumë gjatë, kurrë më parë nuk kishim biseduar kaq gjatë për bashkëpunimin tonë dypalësh,” tha Vučić.
Vučić mori pjesë në Sevillë në një konferencë ndërkombëtare mbi financimin e zhvillimit.