Vuçiç mburret me ushtrinë: Investojmë miliarda, kushdo do të mendojë shumë herë para se të na sulmojë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u ankua për grupet kriminale nga Mali i Zi, Kroacia, Bosnje e Hercegovina dhe Kosova, duke theksuar ndikimin e tyre të konsiderueshëm në Serbi. Ai deklaroi se Serbia po investon miliarda euro në ushtri dhe se kushdo do të mendojë shumë herë para se të ndërmarrë një sulm ndaj saj.

Duke folur për rreth një mijë protesta antiqeveritare gjatë konferencës së fundvitit, Vuçiç u shpreh “krenar” që, pavarësisht tubimeve të shumta që i quajti “të paligjshme”, janë ruajtur paqja dhe stabiliteti dhe se gjithçka ka kaluar “pa viktima”.

Ai u ankua për ndikimin e madh të grupeve kriminale nga Mali i Zi, Kosova, Bosnje e Hercegovina, Kroacia dhe pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë, si dhe nga rajoni i Evropës Juglindore.

Vuçiç pohoi se Serbia ka “normën më të ulët të kriminalitetit” në histori – 64.072 vepra penale të regjistruara në vitin 2025, numri më i ulët “të paktën në 25 vitet e fundit”.

Ai njoftoi se policia, veçanërisht njësitë speciale, do të pajisen “në mënyrë të pakrahasueshme më mirë”, ndërsa pritet edhe rritje shtesë e pagave për pjesëtarët e policisë dhe ushtrisë.

Vuçiç shtoi se shteti, krahas industrisë së vet ushtarake, po blen pajisje dhe armatim nga e gjithë bota, duke përmendur Francën, Izraelin, Kinën dhe Rusinë.

Sipas tij, dy ditë më parë janë nënshkruar kontrata të mëdha, në miliarda euro, jo në miliona, për të cilat do të informohet publiku “kur të vijë koha dhe kur të konsiderohet e nevojshme”.

“Sot mund t’ju them se kushdo që mendon të sulmojë Serbinë, do ta mendojë këtë shumë, shumë herë, jo vetëm dy herë. Ushtria jonë sot është shumë, shumë më e fortë se kurrë më parë,” theksoi Vuçiç.

Duke paralajmëruar projete të shumta infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e 936 kilometrave autostrada dhe rrugë të shpejta, Vučić premtoi edhe rritje të tjera të pagave dhe pensioneve. Pensionet, nga mesatarja aktuale rreth 430 euro, pritet të rriten “dukshëm mbi 5 për qind”, ndërsa pagat, që në tetor janë 945 euro, deri në fund të vitit pritet të kalojnë 1.000 euro. Ai shprehu bindjen se deri në fund të vitit 2027, Serbia do të ketë pagë mesatare 1.400 euro.

“Do t’i përfundoj dy mandatet e mia në paqe dhe stabilitet dhe në 50 vitet e ardhshme asnjë president nuk do të marrë kaq shumë vota në raundin e parë,” tha Vučić, mandati i dytë pesëvjeçar i të cilit përfundon në maj 2027 dhe, sipas Kushtetutës së Serbisë, ai nuk mund të kandidojë më për këtë funksion.

Kategoritë
LajmeRajoni