Vriten dhjetëra palestinezë nga sulmi izraelit në një shkollë në Rripin e Gazës

Burimet thanë se forcat izraelite kryen “masakër të tmerrshme” ndaj civilëve të zhvendosur që qëndronin në shkollë.

Dhjetëra palestinezë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën në sulmin ajror që ushtria izraelite ndërmori ndaj një shkolle në veri të Rripit të Gazës në të cilën po strehoheshin të zhvendosurit, transmeton Anadolu.

Sipas televizionit Al-Aqsa dhe burimeve palestineze, ushtria izraelite shënjestroi në mëngjes shkollën “Fahmi al-Jarjawi” në lagjen Al-Durj të qytetit të Gazës.

Burimet thanë se forcat izraelite kryen “masakër të tmerrshme” ndaj civilëve të zhvendosur që qëndronin në shkollë.

Si pasojë e sulmit mbetën të vrarë të paktën 25 persona ndërsa shumë të tjerë u plagosën për shkak të zjarreve që shpërthyen në tendat e ngritura përreth shkollës. Burimet thanë se pas sulmit, në zonë ka trupa të djegur dhe janë dëgjuar britmat e njerëzve të zhvendosur.

Imazhet në mediat sociale tregojnë shumë fëmijë të vrarë dhe të plagosur ndërsa të tjerë shihen duke u përpjekur t’u shpëtojnë flakëve.

– Ushtria izraelite prishi armëpushimin dhe ndërmori veprime për pushtim të përhershëm të Gazës

Pas armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar në Rripin e Gazës, ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj të dhunshme në mëngjesin e 18 marsit.

Që kur ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj, 3.785 palestinezë, kryesisht të moshuar, gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe 10.756 janë plagosur.

Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, është rritur në 53.939 ndërsa numri i të plagosurve është rritur në 122.797.

Ushtria izraelite ka filluar zbatimin e një plani sulmi që do të zgjerojë dhe do ta bëjë të përhershëm pushtimin e Rripit të Gazës. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ata do të pushtojnë të gjithë Rripin e Gazës.

Sipas planit, ushtria izraelite do ta pushtojë përgjithmonë Rripin e Gazës ndërsa palestinezët do të dëbohen në “kampe përqendrimi” në jug të Gazës. Izraeli do t’u japë palestinezëve në këto kampe përqendrimi, ndihmë të mjaftueshme humanitare “aq sa për të mbijetuar”.

Ministrat izraelitë kanë deklaruar se kanë planifikuar të shkatërrojnë gjithçka që ka mbetur e paprekur në Rripin e Gazës dhe që të dëbojnë palestinezët fillimisht në jug dhe prej andej në vende të tjera.

Kategoritë
BotaLajme