Vrasja e Marigona Osmanit, Apeli e kthen në rigjykim rastin ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut

Gjykata e Apelit e ka kthyer çështjen në rigjykim ndaj të akuzuarve Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, lidhur me akuzat për vrasjen dhe dhunimi e tani të ndjerës Marigona Osmani.

Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në vendimin Gjykatës së Apelit, thuhet se është aprovuar ankesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe ankesat e mbrojtësit të të akuzuarit Krivaqa, avokatit Admir Salihu dhe mbrojtësve të Sejdiut, avokatëve Arbnora Shefiku dhe Avni Ibrahimi.

Apeli thekson se pretendimet ankimore të Prokurorisë dhe ato të mbrojtësve për bazat tjera ankimore si dhe të përfaqësuesit të palës së dëmtuar, tani për tani janë jolëndore.

Kurse, dy të akuzuarit mbeten në paraburgim deri në një vendim tjetër nga ana e gjykatës së shkallës së parë.

Ndaj vendimit të Themelores, prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, kishte ushtruar ankesë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit lidhur me sanksionin penal sa i përket të akuzuarit Sejdiu.

Prokuroria kishte kërkuar nga Apeli që ta aprovojë në tërësi ankesën dhe ta anulojë aktgjykimin e ankimuar dhe çështjen t’ia kthejë Gjykatës së shkallës së parë në rigjykim për rivendosje.

Në anën tjetër, mbrojtësi i Krivaqës, avokati Admir Salihu, kishte ushtruar ankesë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe lidhur me vendimin mbi sanksionin penal, me propozimin që Apeli ta ndryshojë aktgjykimin ose çështjen ta kthejë në rigjykim.

Mbrojtësit e Sejdiut, avokatët Arbnora Shefkiu dhe Avni Ibrahimi, kishin ushtruar ankesë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal dhe vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, me propozimin që Apeli ta ndryshojë aktgjykimin, ashtu që të akuzuarin Sejdiu ta e lirojë nga aktakuza ose çështjen ta kthejë në rigjykim.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gazmend Rexhepi, kishte ushtruar ankesë për shkak të shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të drejtë të gjendjes faktike, si dhe vendimit mbi sanksionin penal, me propozimin që ndaj të akuzuarit Sejdiu të vërtetohet aktakuza e Prokurorisë dhe të njëjtit t’i shqiptohet dënimi sipas nenit 31 të Kodit Penal, për bashkëkryerje, si dhe vendimi mbi sanksionin penal ndaj të akuzuarit Sejdiu të rritet, ashtu që t’i shqiptohet dënimi kapital.

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi