Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u takua sot në Arabinë Saudite me presidentin e Sirisë dhe i kërkoi atij të normalizojë marrëdhëniet me armikun e hershëm, Izraelin, pas një njoftimi të papritur të SHBA-së se do të heqë të gjitha sanksionet ndaj qeverisë së udhëhequr nga islamistët.
Trump u takua me Ahmed al-Sharaa të Sirisë para një samiti midis Shteteve të Bashkuara dhe vendeve arabe të Gjirit, transmeton Telegragfi.
Fotot e postuara në televizionin shtetëror saudit i treguan ata duke shtrënguar duart në prani të Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, i njohur gjithashtu si MbS.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, iu bashkua Trump dhe MbS virtualisht në takim.
Trump i kërkoi Sharaa-s t’u bashkohet Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit dhe Marokut, të cilat normalizuan marrëdhëniet me Izraelin sipas Marrëveshjeve të Abrahamit të ndërmjetësuara nga SHBA-të në vitin 2020.
Shtetet e Bashkuara gjithashtu shpresojnë që Arabia Saudite do t’i bashkohet Marrëveshjeve të Abrahamit. Diskutimet mbi këtë çështje u ndalën pasi shpërtheu lufta në Gaza dhe mbretëria këmbëngul se nuk mund të ketë normalizim pa shtetësinë palestineze.

Trump tha të martën se Arabia Saudite do t’u bashkohet marrëveshjeve në kohën e duhur.
Pavarësisht shqetësimeve brenda sektorëve të administratës së tij mbi lidhjet e mëparshme të udhëheqësve të Sirisë me Al Kaedën, Trump tha të martën gjatë një fjalimi në Riad se do të heqë sanksionet ndaj Sirisë në një ndryshim të madh politik.
Ai tha gjithashtu se Uashingtoni po shqyrtonte normalizimin e marrëdhënieve me qeverinë e Sirisë duke filluar me takimin e tij me Sharaa-n.
Heqja e sanksioneve erdhi pavarësisht dyshimit të thellë izraelit ndaj administratës së Sharaa-s, shqetësime që fillimisht i ndanë disa zyrtarë amerikanë.
Zyrtarët izraelitë kanë vazhduar ta përshkruajnë Sharaa-n si xhihadist, megjithëse ai i ndërpreu lidhjet me al-Kaedën në vitin 2016.
Vendimi është një nxitje e madhe për Sharaa-n, i cili ka luftuar për ta sjellë vendin nën kontrollin e qeverisë së Damaskut pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad në dhjetor.
Heqja e sanksioneve të SHBA-së që e shkëputën Sirinë nga sistemi financiar global, do të hapë rrugën për një angazhim më të madh nga organizatat humanitare që punojnë në Siri, duke lehtësuar investimet e huaja dhe tregtinë ndërsa vendi rindërtohet.
Aleati i SHBA-së, Izraeli, ka kundërshtuar lehtësimin e sanksioneve për Sirinë dhe ka përshkallëzuar operacionet e tij ushtarake që kur Assadi u rrëzua, duke thënë se nuk do të tolerojë një prani islamiste në Sirinë jugore.
Izraeli ka pushtuar territore në jugperëndim të vendit, ka paralajmëruar qeverinë siriane kundër vendosjes së forcave atje dhe ka hedhur në erë shumicën e armëve dhe pajisjeve të rënda të ushtrisë siriane në ditët pas rënies së Assadit.
Sfidat me të cilat përballet qeveria e re e Sirisë u vunë në dukje edhe në mars kur besnikët e Assadit sulmuan forcat qeveritare, duke shkaktuar sulme hakmarrjeje në të cilat persona të armatosur islamistë vranë qindra civilë nga pakica alevite, duke tërhequr dënimin e fortë të SHBA-së.
Sharaa ishte për vite me radhë udhëheqësi i krahut zyrtar të al-Kaedës në konfliktin sirian. Ai u bashkua për herë të parë me grupin në Irak, ku kaloi pesë vjet në një burg amerikan.
Shtetet e Bashkuara ofruan një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kokën e Sharaas në dhjetor.
Ministri i Jashtëm sirian tha në një deklaratë të mërkurën se takimi midis Trump dhe Sharaas, përfshinte diskutime rreth luftimit të terrorizmit dhe bashkëpunimit në eliminimin e ndikimit të aktorëve jo-shtetërorë dhe grupeve të armatosura që kërcënojnë stabilitetin sirian, përfshirë ISIS-in.
Ky takim do të pasohet nga një tjetër midis ministrit të jashtëm sirian dhe homologut të tij amerikan Marco Rubio.
Dita e parë e Trumpit në një udhëtim katër-ditor nëpër rajonin e Gjirit u shënua nga ceremoni luksoze dhe marrëveshje biznesi, duke përfshirë një angazhim prej 600 miliardë dollarësh nga Arabia Saudite për të investuar në SHBA dhe 142 miliardë dollarë në shitjen e armëve amerikane në mbretëri.
Më vonë të mërkurën, Trump do të fluturojë për në kryeqytetin e Katarit, Doha, ku do të marrë pjesë në një vizitë shtetërore me Emirin Sheikh Tamim bin Hamad al-Thani dhe zyrtarë të tjerë.
Katari, një aleat kyç i SHBA-së, pritet të njoftojë qindra miliardë dollarë investime në SHBA.
Vizita e Trumpit në Doha erdhi pas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë këtë javë se planifikon të pranojë një aeroplan Boeing 747-8, i cili do të jetë i pajisur për të shërbyer si Air Force One, si dhuratë nga katarianët.
Aeroplani luksoz, i cili do të jetë një nga dhuratat më të vlefshme të marra ndonjëherë nga qeveria amerikane, përfundimisht do t’i dhurohet bibliotekës presidenciale të Trumpit.
Kjo ka shkaktuar zemërim nga demokratët dhe shqetësime dypartiake për sigurinë. Disa zyrtarë kanë thënë se mund të krijojë një perceptim korrupsioni, madje edhe në mungesë të një “quid pro quo”.
Ndërsa detajet e sakta të investimeve që Katari planifikon të shpallë të mërkurën ishin të paqarta, Qatar Airëays pritej të shpallte një marrëveshje për të blerë rreth 100 aeroplanë me trup të gjerë nga Boeing, sipas një burimi të njohur me çështjen.
Pas vizitës së tij në Katar, Trump do të fluturojë për në Abu Dhabi për të takuar udhëheqësit e Emirateve të Bashkuara Arabe të enjten.
Më pas, ai është planifikuar të fluturojë përsëri për në Uashington të premten, por ai ka thënë se mund të fluturojë për në Turqi në vend të kësaj për një takim të mundshëm midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. /Telegrafi/