Vendosja e vizave për Turqinë nga Bosnje-Hercegovina nuk është reale në afat të shkurtër

Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje-Hercegovinës, Elmedin Konaković, ka deklaruar se nuk është reale që vendi i tij t’u vendosë viza qytetarëve të Republikës së Turqisë në të ardhmen e afërt. Duke folur në konferencën vjetore për shtyp në Sarajevë, Konaković theksoi veçanërisht marrëdhëniet jashtëzakonisht të mira mes Bosnje-Hercegovinës dhe Turqisë.

Duke rikujtuar se në kuadër të harmonizimit të regjimit të vizave me Bashkimin Evropian, Bosnje-Hercegovina mund të detyrohet këtë vit t’i vendosë vizë njërit prej vendeve me të cilat aktualisht ka regjim pa viza, Konaković theksoi se ky vend nuk do të jetë Turqia. Ai shtoi se e njëjta gjë vlen edhe për Rusinë dhe Kinën.

“Ky vend nuk do të jetë Turqia. Nuk e shoh këtë të mundshme gjatë mandatit tim dhe kjo nuk do të ndodhë në kohën time,” tha Konaković, duke shtuar se marrëdhëniet mes Bosnje-Hercegovinës dhe Turqisë janë në nivel “fantastik”.

Konaković falënderoi Presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan dhe veçanërisht Ministrin e Jashtëm Hakan Fidan, duke vënë në pah rolin e Turqisë në politikën globale.

“Turqia është një superfuqi. Pas zhvillimeve në Siri dhe në rajon, ajo ka marrë rol udhëheqës në skenën ndërkombëtare dhe është bërë një nga partnerët më të rëndësishëm të SHBA-së,” deklaroi ai.

Ministri i Jashtëm i Bosnje-Hercegovinës kujtoi gjithashtu se të premten kishte marrë pjesë në Stamboll në takimin e dytë të Platformës Ballkanike për Paqe, së bashku me pesë ministra të jashtëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Fakti që ky takim u organizua nga ministri Fidan dhe se Presidenti Erdoğan, pavarësisht agjendës së tij të ngarkuar, gjeti kohë të merrej veç e veç me secilin vend, tregon sa e rëndësishme është prania e Turqisë në Ballkanin Perëndimor. Turqia ka marrëdhënie të mira me të gjitha vendet dhe është një ndërmjetës shumë efektiv në këto procese,” u shpreh Konaković.

Ai shtoi gjithashtu se investimet totale të Turqisë në Bosnje-Hercegovinë janë më të mëdha se ato në Serbi, duke e cilësuar këtë si një tregues konkret të miqësisë dhe marrëdhënieve të forta mes dy vendeve.

Në fund, Konaković njoftoi se do të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalyasë, ku do të zhvillojë takime të reja, duke theksuar se proceset diplomatike po vazhdojnë me “një dinamikë mjaft pozitive”.

Kategoritë
LajmeRajoni