Në vazhdimin e sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nisi fjalimi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë të cilit disa diplomatë e lanë sallën.
Më herët, nga zyra e Netanyahut ishte njoftuar se i ishte dhënë urdhër ushtrisë për të vendosur altoparlantë në të gjithë Rripin e Gazës, në mënyrë që fjalimi i tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) të mund të transmetohej drejtpërdrejt.
Mesazh i qartë
Mediat izraelite raportojnë se ushtria ka vendosur altoparlantë në kamionë ushtarakë për të transmetuar fjalimin. Kamionët e IDF-së me altoparlantë janë parë në kufirin e Rripit të Gazës teksa përgatiteshin të hynin.
Luftë psikologjike
Nga IDF-ja më herët kanë konfirmuar se zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu u kishte urdhëruar të transmetonin fjalimin, gjë që u cilësua si një “fushatë ndikimi”. Ushtria njoftoi se nëntë sisteme altoparlantësh janë shpërndarë dhe janë drejtuar ndaj popullsisë civile palestineze në Rripin e Gazës.
Fjalimi po transmetohet gjithashtu edhe brenda vetë Rripit të Gazës, ku IDF-ja ka vendosur altoparlantë në kampet ushtarake.
Banorët e Gazës, sipas raportimeve, kanë marrë mesazhe tekstuale me një link që i çonte drejtpërdrejt te fjalimi i Netanyahut.
Zyra e Netanyahut pretendon se IDF-ja ka “marrë kontrollin mbi telefonat” e civilëve palestinezë dhe të operativëve të Hamasit në Gaza, dhe se fjalimi i tij në OKB “tani po transmetohet drejtpërdrejt përmes atyre pajisjeve”.