Vendimi i KQZ’së për votuesit jashtë Kosovës, reagon Avokati i Popullit

Avokati i Popullit është deklaruar rreth vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për verifikimin e votuesve jashtë Kosovës

Në deklaratën e Avokatit të Popullit thuhet se procesi i verifikimit të aplikacioneve është i domosdoshëm për garantimin e besueshmërisë së procesit zgjedhor.

“Avokati i Popullit duke marrë parasysh reagimin e publikut lidhur me vendimin Nr. 42-2021, të datës 11 janar 2021, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për Verifikimin e Aplikacioneve për Regjistrimin për Periudhën e Aplikimit për Regjistrim të Votuesve Jashtë Kosovës, thekson se procesi i verifikimit të aplikacioneve është i domosdoshëm për garantimin e besueshmërisë së procesit zgjedhor”, deklaron Avokati i Popullit.

Por, tutje thuhet se është e domosdoshme që KQZ të evitojë çfarëdo veprimi i cili do të mund të kufizonte esencën e së drejtës së votuesve jashtë Kosovës për të zgjedhur, e cila është e garantuar me kornizën ligjore të vendit.“Megjithatë, e drejta për të zgjedhë është një e drejtë e garantuar për secilin person që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor. Përderisa ligji garanton të drejtën për të zgjedhë jashtë vendit, është detyrim i shtetit që procesi zgjedhor të organizohet në mënyrë të mirëfilltë në praktikë ashtu që të mundësohet që zhvillimi i këtij procesi të jetë i drejtë dhe demokratik, duke mundësuar përfshirje sa më të madhe të qytetarëve me të drejtë vote. Prandaj, është e domosdoshme që KQZ të evitojë çfarëdo veprimi i cili do të mund të kufizonte esencën e së drejtës për të zgjedhë të votuesve jashtë Kosovës, të garantuar me kornizën ligjore të vendit”, thuhet në deklaratë.

Kategoritë
LajmeVendi