Vendi hyn në paqartësi të re kushtetuese, Kushtetuta s’e njeh situatën kur presidenti dorëhiqet

Dorëheqja e Hashim Thaçit nga pozita e presidentit para se të nisej për në Hagë, për t’u përballur me akuza për krime lufte, e ka futur vendin në një paqartësi të re kushtetuese.

Kushtetuta nuk e njeh situatën kur presidenti jep dorëheqje. Akti më i lartë juridik i shtetit e njeh rrethanën e mungesës së përkohshme të presidentit, në të cilën situatë ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij kryetarit të Kuvendit, derisa të rifillojë ushtrimin e përgjegjësive, raporton KOHA.

Por, pavarësisht që kjo nuk është situata, kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka marrë ushtrimin e detyrës së presidentit, për periudhën derisa të zgjidhet shefi i ri i shtetit.

Profesori i së drejtës kushtetuese, Riza Smaka, ka vërejtur menjëherë këtë problem.

“Atëherë apriori i mungon legaliteti zonjës Osmani për ta ushtruar funksionin e presidentit. Ajo nuk është dashur të nxitonte, sepse fundi i fundit është juriste, kjo është çështje elementare. Kjo bazë juridike ishte dashur paraprakisht të sigurohej”, ka thënë ai.

Në kabinetin e Osmanit nuk kanë dhënë një arsye përkitazi me bazën kushtetuese mbi të cilën është mbështetur ajo, si për ta marrë mandatin e ushtrueses së detyrës së presidentit, si për kompetencat që ajo do t’i ushtrojë.

Megjithëkëtë, gjatë një vizite që ka pasur në Prekaz, Osmani ka thënë se nuk ka ndonjë kufizim kompetencash për të, ani se nuk ka ofruar ndonjë referencë për ta mbështetur këtë pohim.

“Kushtetuta e përcakton që secilin veprim që e bën një president, secilën kompetencë që e ka një president, e ka në të njëjtën kohë edhe ushtruesi i detyrës së presidentit”, ka deklaruar Osmani.

Meqë Kushtetuta nuk e njeh rrethanën e dorëheqjes së shefit të shtetit, nuk sqaron edhe kohën brenda së cilës duhet të zgjidhet pasuesi në një rrethanë të këtillë. Po kështu, nuk tregon as se kush duhet ta iniciojë procesin e zgjedhjes.

Edhe para se Thaçi të dorëhiqej, debati për kreun e ri të shtetit kishte nisur në Kosovë. AAK-ja e kishte nominuar Ramush Haradinajn për këtë pozitë, por në këtë nuk e ka siguruar mbështetjen e partnerëve të koalicionit.

Ndërkaq, është raportuar se PDK-ja mund të bëhet pjesë e koalicionit, në rast se asaj i njihet e drejta për ta dhënë kandidatin që do ta pasonte Thaçin.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se zgjedhja e presidentit të ri nuk është diçka me të cilën tash duhet të preokupohet partia.

“Çështja e zgjedhjes së presidentit është çështje që ka kohë dhe hapësirë. Dhe ne mendojmë që mbi të gjitha është pyetje për partnerët e koalicionit, ata që e kanë shumicën në Kuvend të Kosovës, do të duhej të merrnin qëndrim për një temë të tillë”, ka thënë Hoxhaj.

Partitë në koalicion vetë nuk mund ta zgjedhin presidentin. Ato e përbëjnë vetëm gjysmën e anëtarëve të Kuvendit, ndërsa për t’u konsideruar kushtetuese zgjedhja, kërkohet mbështetja e dy të tretave të ligjvënësve.

E në rrethanën kur zgjedhja e presidentit dështon, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Kategoritë
LajmeVendi