“Vendet e NATO-s do të bëjnë më të mirën për t’i siguruar Ukrainës më shumë mbrojtje ajrore”

Shefi i NATO-s, Mark Rutte tha se Rusia dhe Kina po përpiqen të destabilizojnë vendet e NATO-s përmes akteve të sabotimit, krimeve kibernetike dhe duke përdorur energjinë si armë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka deklaruar se vendet anëtare të NATO-s do të bëjnë më të mirën e tyre për t’i siguruar Ukrainës sistemet më të nevojshme të mbrojtjes ajrore, transmeton Anadolu.

Rutte foli për mediat në ditën e dytë të takimit të shefave të diplomacisë së vendeve anëtare të NATO-s, që po mbahet në Bruksel.

Duke theksuar sulmet sistematike ajrore ruse në infrastrukturën energjetike të Ukrainës, shefi i NATO-s tha se Rusia dhe Kina po përpiqen të destabilizojnë vendet e NATO-s përmes akteve të sabotimit, krimeve kibernetike dhe duke përdorur energjinë si armë.

Për t’iu kundërvënë këtij kërcënimi, theksoi Rutte, aleanca do të ndërmarrë hapa të mëtejshëm, përfshirë ndarje më të mirë të inteligjencës.

Ai theksoi se Ukraina duhet të jetë në pozicionin e forcës përballë sulmeve të rënduara ruse dhe se aleanca ushtarake mbetet e përkushtuar në mbështetjen e Ukrainës për këtë qëllim.

Dje, në një konferencë për media me ministrin ukrainas të Punëve të Jashtme, Andrii Sybiha, Rutte theksoi rëndësinë e funksionimit të rrjetit energjetik të Ukrainës.

“Ne nuk mund të kemi një armatosje të dimrit në Ukrainë”, tha Rutte duke shtuar se ai diskutoi këtë “element vendimtar” me ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s.

Lidhur me mbrojtjen ajrore, Rutte tha se ata “po bëjnë shumë, por se duhet bërë edhe më shumë” për t’u siguruar që Ukraina të jetë sa më e sigurt që të jetë e mundur.

Kategoritë
BotaLajme