“Veç të vrarë munden me më kapë…”, Artan Hajrizi rrëfen bisedën e fundit me Fatonin, para rastit me policin serb

Artan Hajrizi, vëllai i Faton Hajrizit i cili ndodhet në arrati, ka rrëfyer bisedën e fundit që kanë bërë bashkë.

Artani, emri i të cilit u lakua në mediat serbe e ato vendore për vrasjen e një polici në Serbi, ka thënë se nuk është i përfshirë në rast, por Fatoni ia ka vjedhur dokumentet.

I deklarova që dokumentet që janë vjedhë, nuk kam të bëj sen me këtë punë. Dokumentet i ka marrë Fatoni se u kanë te unë ka nejt me do shokë, edhe dokumentet, edhe ka nejt 2 orë edhe mi ka marrë dokumentet. I ka vjedhë. Dokumentet i kam lajmëruar të humbur këtu. Unë nuk jam fajtor për këtë punë. Nuk kam qenë në dijeni që i ka marrë dokumentet, se ato të Gjermanisë nuk ia dha kërkujt. 15 vjet deri i kam bo dokumentet e me ia dhanë dikujt me mi prish për një ditë nuk e kam bo kurrë”, ka thënë Artan Hajrizi.

Ai ka treguar fjalët e Fatonit, i cili është shprehur se nuk do të dorëzohet dhe nuk do të mund ta kapin të gjallë, vetëm të vrarë.

“Çka ka bo ai nuk është mirë, nuk bëhen ato sene. Na si familje i kemi thanë dorëzohu, jo thojke në Evropë jam dalë, jo knej jam dalë. Ato sene që i bën nuk janë të mira. Prej që jam ardh në Gjermani nuk jam marrë me sene të këqia, as në Kosovë nuk ka probleme. Nuk ekziston emri jem për naj vërejtje”

“Jo nuk kom kontaktu absolut. Nuk jom kanë unë aty, janë kanë njerëzit që janë tu bo me këto sene, as ai nuk u kanë, as unë. Nuk jom kanë unë, absolut aty. Këta e kanë një ligj të mirë, që më thanë se nuk ki aspak problem, mos shko për Serbi deri të sqarohen senet, edhe t’i mundesh me nejt në Gjermani qysh ke nejt, për Serbi mos shko deri të sqarohemi me E-mail. Këta nuk këqyrin as Serbi as anej, këta kanë ligj të vetin. I shqetësum jam se emri u dalë pa bo kurgjo. Fatonit çka me i thanë. Një sen e ka thanë, sdi a pe kuptoni, veç lule me më qit, se mu dorëzu nuk dorëzohna. Veç të vrarë munden me më kap, të gjallë jo. Unë nuk kam çka me thanë, as nuk më ngon mu, as nanën, as babën as kërkënd. Krejt me shkollë, njo po del haram. Nuk jem na të këtyne seneve”, tha Artan Hajrizi për Insajderin.

39-vjeçari Faton Hajrizi u arratis nga burgu të shtunën e 6 korrikut.

Që nga ajo kohë, Hajrizi ka bërë disa paraqitje në media sociale e së fundi u deklarua edhe në RTV Dukagjini ku u lidh drejtpërdrejtë përmes një bisede telefonike.

Ai pohoi se ndodhet jashtë Kosovës, teksa kërkoi garanci që nëse dorëzohet dhe kthehet në burg, nuk do ta maltretojnë dhe ta dërgojnë në qeli.

Unë e du një garanci prej dikujna që nuk më maltretojnë, nuk më mbajnë nëpër qelia qysh më kanë arrest tjera herë e më kanë mbajtë nëpër qelia, më kanë rreh, më kanë maltretu”, ka thënë Hajrizi.

Paraditen e sotme vëmendja u kthye sërish kah familja Hajrizi. Në ballinat e mediave në Serbi zuri vend në krye lajmi për vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri.

Për këtë rast, autoritetet serbe kanë shpallur në kërkim shtetasin e Kosovës, Artan Hajrizi, i cili është vëllai i Fatonit. Siç u bë e ditur në vendin e ngjarjes është gjetur një pasaportë e Kosovës me emrin e Artanit në të, si dhe një letërnjoftim i Gjermanisë me të njëjtin identitet.

Në mediat në Serbi, Artan Hajrizi është prezantuar si i burgosur, i cili dy javë më parë ka ikur nga një burg në Kosovë.

Babai i vëllezërve Hajrizi, ka thënë se djali i tij Artani ndodhet në Gjermani, por Fatoni ia ka vjedhur pasaportën.

Fatoni i ka bërë ato punë, pasaportën e tij [Artanit] ia ka marrë, u shku në Gjermani atje ia ka marrë”, citohet të thënë Mustafë Hajrizi për Nacionalen.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi