Henry Rice, veteran i Luftës së Dytë Botërore, i cili gjatë shërbimit ushtarak i mbijetoi një sulmi me silur që për pak sa nuk rezultoi fatal, ka vdekur në moshën 100-vjeçare.
Rice, i cili jetonte në Cranleigh të Surreyt, mori pjesë në zbarkimin historik të Normandisë.
Gjatë operacionit më të madh detar, ajror dhe tokësor në histori, i cili nisi më 6 qershor 1944, Rice ishte përgjegjës për transportin dhe furnizimin me automjete, trupa dhe pajisje, me qëllim forcimin e aleatëve në luftën për çlirimin e Evropës nga pushtimi nazist.
Qeveria franceze e dekoroi atë me Urdhrin prestigjioz të Legjionit të Nderit për kontributin e tij gjatë luftës.
Marina Mbretërore britanike rikujtoi rrugëtimin e tij të gjatë ushtarak. Pas Normandisë, Rice kaloi 12 javë në Maltë, ndërsa më pas, përmes Kanalit të Suezit dhe Detit të Kuq, udhëtoi drejt Gjirit, Sri Lankës dhe Singaporit.
Gjatë një prej misioneve, ai i mbijetoi një momenti dramatik, kur një silur i lëshuar drejt anijes së tij kaloi drejtpërdrejt nën trupin e saj.
Rice festoi 100-vjetorin e lindjes në muajin mars, pranë familjes, ndërsa në qershor vizitoi sërish Normandinë për një ceremoni përkujtimore.
“Kam pasur një jetë të mrekullueshme. E kam shumë të lehtë të më dalin lotët, prandaj nuk e lejoj veten të mendoj shumë thellë. Por kur jam vetëm, atëherë e bëj”, kishte deklaruar më herët për BBC.
Në vitet e fundit të jetës, Rice u bënte vazhdimisht thirrje institucioneve arsimore që t’i mësonin më shumë fëmijët për zbarkimin në Normandi dhe rëndësinë e historisë, duke paralajmëruar se bota po kalon një periudhë të rrezikshme.
Vdekja e tij erdhi vetëm dy javë pas ndarjes nga jeta, në moshën 101-vjeçare, të një tjetër veterani të njohur të Normandisë, Kenneth Hay, i cili kishte mbijetuar robërinë dhe për dekada kishte edukuar të rinjtë për Luftën e Dytë Botërore.
