Vatikani akuzoi BE-në se reagon ndryshe ndaj konflikteve ushtarake: Disa shteteve u vendos sanksione, ndërsa të tjerave u dërgon armë

Në një konferencë të mbyllur të kardinalëve nga e gjithë bota për luftërat, të organizuar nga papa Leo XIV, u ngritën akuza ndaj Bashkimit Evropian për zbatim selektiv të së drejtës ndërkombëtare. Nga Vatikani e akuzuan BE-në se reagon ndryshe ndaj konflikteve ushtarake, varësisht nga interesat politike.

Konferenca u thirr nga papa Leo XIV për të shqyrtuar “kulturën globale të fuqisë”, e cila nxit konfliktet bashkëkohore. Vëmendje e veçantë iu kushtua rishikimit të doktrinës tradicionale katolike për luftën e drejtë, për të cilën papa mendon se përdoret shumë shpesh si justifikim për ndërhyrje ushtarake.

Kreu i dikasterit doktrinor të Vatikanit, kardinali Víctor Manuel Fernandez, e akuzoi drejtpërdrejt BE-në për mungesë konsekuence.

Ai theksoi se qeveritë sot i zbatojnë parimet morale vetëm kur kjo u përshtatet politikisht.

“Nëse një vend është armik, dënohet si jodemokratik dhe sanksionohet në mënyra të ndryshme; por nëse është aleat, fakti që i mungon liria e shprehjes, të drejtat e njeriut apo demokracia injorohet”, tha ai.

Ai kritikoi veçanërisht Bashkimin Evropian, duke thënë se disa shteteve u vendos sanksione ekonomike, ndërsa të tjerave u dërgon ndihmë financiare dhe armë, por se të njëjtën qasje nuk e zbaton kur bëhet fjalë për invazione të tjera, siç tha ai, edhe më të rënda dhe me pasoja më serioze për popullsinë civile.

Sipas tij, kontradikta të tilla tregojnë se interesat politike dhe ekonomike janë bërë më të rëndësishme se zbatimi konsekuent i së drejtës ndërkombëtare dhe vlerave universale.

Fernandez gjithashtu paralajmëroi se nocioni i vetëmbrojtjes legjitime po zgjerohet gjithnjë e më shumë për të justifikuar ndërhyrje ushtarake, duke përmendur si shembuj Rusinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fuqi të tjera që thirren në vetëmbrojtje në konflikte nga Ukraina deri në Lindjen e Mesme.

Ai theksoi se doktrina katolike për luftën e drejtë sot shpesh keqpërdoret për të justifikuar luftërat, në vend që të kontribuojë në parandalimin e tyre.

U theksua se e drejta për vetëmbrojtje legjitime duhet të interpretohet shumë më rreptësisht.

Kategoritë
BotaLajme