Valë e nxehtë evropiane: Ja cilat vende janë më së shumti të prekura

Agjencitë meteorologjike kanë lëshuar paralajmërime në ditën e tretë me temperatura të larta, të cilat në disa shtete evropiane kanë kaluar dukshëm mbi 40 gradë Celsius.

Nxehtësia ekstreme mbyt Evropën, ku dhjetëra miliona njerëz po përgatiten për temperatura gjithnjë e më të larta dhe të rrezikshme, ndërsa zjarrfikësit luftojnë me zjarret e shkaktuara nga kushtet thatësire, raporton The New York Times.

Francë dhe Spanjë përballen me kushtet më të rënda klimatike, dhe të paktën dy persona kanë ndërruar jetë në këtë valë nxehtësie që solli temperatura rekord dhe kushte të padurueshme, veçanërisht për ata që punojnë në ambient të hapur.

Parashikohet që nxehtësia të arrijë kulmin në mesjavë, para se të zhvendoset në lindje, dhe pritet që temperaturat të rriten në Evropën lindore dhe juglindore.

Vendet e prekura

Spanja: Në zjarrin në Kataloni kanë humbur jetën dy persona, deklaroi të mërkurën kryeministri Pedro Sánchez. Qeveria rajonale njoftoi se janë djegur më shumë se 16.000 hektarë tokë. Zjarrfikësit po luftojnë ende me flakët në tre zona, sipas shërbimeve të emergjencës.

Paralajmërimet meteorologjike mbeten në fuqi për 11 rajone spanjolle. Pritet që në Sevilla temperaturat të rriten deri në 43 gradë Celsius.

Në fillim të kësaj jave, AEMET, agjencia shtetërore meteorologjike e Spanjës, regjistroi temperatura deri në 42 gradë Celsius. Të shtunën, termometri shënoi 46 gradë në El Granado, në jugperëndim të vendit, që është rekord kombëtar për muajin qershor.

Francë: Zjarrfikësit në Francë kanë reaguar në më shumë se 300 raste emergjente, duke ofruar ndihmë për njerëzit e prekur nga kushtet e shkaktuara nga nxehtësia ekstreme, tha Agnès Pannier-Runacher, ministrja e Mbrojtjes së Mjedisit, në një konferencë për shtyp.

Météo-France, shërbimi meteorologjik kombëtar, lëshoi ditën e mërkurë nivelin më të lartë paralajmërues për katër rajone në lindje të Francës, ku pritet që maksimumi i temperaturave të lëvizë nga 36 deri në 39 gradë Celsius.

Për t’u përballur më lehtë me nxehtësinë, zyrtarët e qytetit të Parisit zgjatën oraret e punës së parqeve dhe pishinave publike. Për shkak të nxehtësisë, për turistët pritej që maja e Kullës Eiffel të mbetej e mbyllur deri të mërkurën.

Itali: Ministria e Shëndetësisë vendosi ditën e mërkurë 18 qytete në nivelin më të lartë alarmi për shkak të nxehtësisë. Po këtë javë, edhe Ministria e Shëndetësisë në Portugali lëshoi një paralajmërim shëndetësor, ndërsa pjesët më të ftohta të kontinentit, si Gjermania dhe Kroacia, njoftuan për temperatura jashtëzakonisht të larta. Rrebeshët e shiut të mërkurën ftohën valën e dytë zyrtare të nxehtësisë në Britani këtë vit. Ky qershor ishte më i nxehti në historinë e Anglisë, sipas statistikave të përkohshme të Institutit Meteorologjik Britanik.

Turqi: Zjarret në pesë qarqe detyruan evakuimin e përkohshëm të më shumë se 50.000 njerëzve, njoftoi të hënën agjencia e menaxhimit të emergjencave në rrjetet sociale. Një person u shtrua në spital, dhe 79 të tjerë morën trajtim për lëndime të lehta, tha shërbimi i urgjencës.

Greqi: Zjarrfikësit qëndruan në gatishmëri të lartë, pasi më në fund shuan një zjarr që dogji 6.000 hektarë pyje në ishullin Chios dhe fikën dhjetëra zjarre të vogla në të gjithë vendin.

Portugali: Zjarrfikësit në qytete forcuan stafin në zonat rurale, raportoi agjencia kombëtare e lajmeve LUSA. Nga data e mërkura në mëngjes, në vend kishte një zjarr aktiv pyjor, sipas Fogos, faqes që mbledh të dhëna për hartimin e zjarreve pyjore në Portugali.

Kategoritë
BotaLajme