Ushtria izraelite lëshon urdhër dëbimi për palestinezët në veri të Rripit të Gazës

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee publikoi një hartë në lidhje me zhvendosjen me forcë të palestinezëve që jetojnë në 14 vendbanime dhe lagje në veri të Rripit të Gazës

Ushtria izraelite ka lëshuar urdhra për të dëbuar palestinezët nga pjesa veriore e Rripit të Gazës në jug, si pjesë e ofensivës së saj të dhunshme për të pushtuar përgjithmonë Rripin, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, në një postim në llogarinë e tij X, publikoi një hartë në lidhje me zhvendosjen me forcë të palestinezëve që jetojnë në 14 vendbanime dhe lagje në veri të Rripit të Gazës.

Urdhri i dëbimit i lëshuar nga Adraee mbulon vendbanimet dhe lagjet Shejh Zayed, Selatin, Al-Karama, Al-Shimaa, Fadus, Al-Manshiya, Gaban, Al-Karama, Al-Nur, Abdul Rahman, Az-Zahur, Tal al-Zaatar, dhe Beit Lahiya.

Adraee deklaroi se ushtria izraelite do të intensifikojë dhe zgjerojë sulmet e saj në zonat në fjalë.

Më 18 maj, ushtria izraelite nisi ofensiva tokësore në Gaza, me qëllim zgjerimin e pushtimit dhe bërjen e tij të përhershëm.

Plani i sulmit të ushtrisë izraelite, i cili do të zgjerojë pushtimin e Rripit të Gazës dhe do ta bëjë atë të përhershëm, parashikon deportimin e palestinezëve në “kampe përqendrimi” në jug të Gazës.

Më shumë se 53.000 palestinezë janë vrarë ndërsa numri i të plagosurve thuhet se ka tejkaluar 121.000 në sulmet e dhunshme 20-mujore të Izraelit në Rripin e Gazës.

Kategoritë
BotaLajme