Forcat izraelite kanë urdhëruar mjekët në spitalin Al-Shifa në Gaza që të evakuojnë pacientët, të plagosurit, personat e zhvendosur dhe stafin mjekësor në spital. Pas një ultimatumi njëorësh, filloi dëbimi i detyruar.
Omar Zaqout tha se forcat izraelite e detyruan atë dhe të tjerët të largoheshin nga spitali dhe se skenat jashtë objektit ishin “të tmerrshme”.
“Na u tha të kalonim përmes rrugës al-Wehda. Dhjetëra trupa të vdekur janë shpërndarë në rrugë. Shumë njerëz të pastrehë që nuk mund të ecin janë lënë në hapur,” tha ai për Al Jazeera.
Mounir al-Barsh, një mjek në spitalin al-Shifa, përshkroi se çfarë ndodhi kur ushtria izraelite urdhëroi evakuimin.
Ushtria izraelite urdhëroi që të gjithë ata që largohen duhet të tundin një shami të bardhë dhe të ecin në një rresht të vetëm.
“Ushtarët i poshtëruan ata gjatë gjithë rrugës,” tha al-Barsh.
Rreth 450 pacientë janë evakuuar, ndërsa rreth 120 pacientë kanë mbetur pasi nuk kanë mundur të lëvizin. Për t’i ndihmuar ata mbetën drejtori i spitalit, katër mjekë të tjerë dhe një grup i vogël infermierësh.
Atyre iu premtua se një delegacion i OKB-së do të dërgohej rreth orës 11 të mëngjesit për t’u kujdesur për ata që kishin mbetur.
“Shumë pacientë u vendosën në karrige me rrota ose në shtretër të lëvizshëm. Familjarët u detyruan të mbanin vetëm fëmijët ose prindërit e tyre të plagosur. Këto janë skena të tmerrshme, të paprecedentë”, tha mjeku.