Pas shkarkimit, KPK thotë se Blerim Isufaj do vazhdojë si prokuror në Prokurorinë Speciale

Pas shkarkimit, KPK thotë se Blerim Isufaj do vazhdojë si prokuror në Prokurorinë Speciale

Këshilli Prokurorial i Kosovës sot ka shkarkuar Blerim Isufajn nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, duke thënë se deri te vendimi erdhi pasi u vlerësuan rrethanat “institucionale dhe profesionale”.

KPK në njoftimin për largimin e Isufajt bëri me dije se ai do ta ushtrojë funksionin e prokurorit në këtë prokurori.

Në vend të Isufajt përkohësisht u caktua Dren Paca, prokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, deri në plotësimin e pozitës.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) informon opinionin publik se, në takimin e mbajtur më 2 tetor 2026, pas shqyrtimit të çështjes në pajtim me kompetencat e tij ligjore dhe pas vlerësimit të rrethanave relevante institucionale dhe profesionale, ka vendosur për largimin nga pozita e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Blerim Isufaj. Ndërsa, funksionin e prokurorit do ta ushtroj në këtë prokurori. KPK njofton se vendimi është marrë në mbështetje të nenit 22, paragrafi 5, të Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, të ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 08/L-249, mbi bazën e rrethanave të konstatuara dhe të dokumentuara në procedurën përkatëse”, u tha në njoftim.

Për shkarkimin e Isufajt pati reagime nga disa opozitarë që këtë vendim e panë si kapje të institucionit të Këshillit Prokurorial nga kryeministri Albin Kurti.

Kategoritë
LajmeVendi
Reklamë: ABE Kosova