Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, gjatë vizitës së saj dyditore në Gjermani në një aktivitet të organizuar nga Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane në qytetin e Kehl-it tha se diaspora ka shumë potencial për investime e partneritete me Kosovën.
Kusari-Lila ka shkruar se aktiviteti mblodhi rreth 420 biznese, shumica shqiptare, por edhe biznese gjermane dhe të tjera të themeluara nga ndërmarrës me prejardhje nga vende të ndryshme.
“Mbrëmja filloi dhe u përmbyll nën tingujt e muzikës shqipe, të interpretuar nga mezzosopranoja jonë, Flaka Goranci”, shkruan Kusari Lila në Facebook.
Ministrja Kusari Lila ka theksuar se në prani të bashkatdhetarëve, Kryetarit të Kryesisë së Unionit, Zenun Krasniqi, dhe Presidentit të Bordit Këshillëdhënës të Unionit, Nazmi Viqa, “u vu edhe një herë në pah lidhja e fortë me diasporën tonë dhe potenciali i saj për të krijuar ura të reja bashkëpunimi dhe për të sjellë investime e partneritete të reja me Kosovën”.
Në këtë organizim, Kusari-Lila ka bërë të ditur se ka takuar edhe Kryetarin e Qytetit të Kehl-it, Wolfram Britz, ndërsa së bashku me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Gjermani, Faruk Ajetin, ambasadorin e Republikës së Kosovës në Strasburg, Fitor Muratin, Konsullin e Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Shtutgart, Hamdi Bërbatovcin, si dhe Drejtorin e GIZ Kosovo, Markus Delfs, kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit dhe rolin e diasporës në forcimin e lidhjeve ekonomike.
“Gjatë prezantimit tim para ndërmarrësve, fola për mundësitë që ofron Kosova për investime, zhvillim të biznesit dhe bashkëpunim ekonomik, por edhe për potencialin e madh të diasporës sonë përmes përvojës, rrjeteve dhe njohjes së tregjeve gjermane e evropiane”, shkruan ajo.
Në aktivitet kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të bizneseve nga diaspora dhe sipërmarrës shqiptarë në Gjermani, ndër ta përfaqësues të GREENHOUSE SH.P.K., Faber Media & Production GmbH, SHEHU Group LLC dhe Frigo DELUXE, të cilët kanë prezantuar dhe kanë ndarë historitë e tyre të suksesit në të bërit biznes.

