Ura e Gurit në Prizren shkëlqen edhe natën

Autoritetet komunale të Prizrenit të martën mbrëma kanë përuruar ndriçimin dekorativ të Urës së Gurit, për të cilin projekt janë shpenzuar afro 4 mijë euro. Sipas tyre, në të ardhmen, në formë të ngjashme do të ndriçohen edhe monumentet e tjera të trashëgimisë kulturore. Madje është theksuar se do të ketë intervenime edhe në urat e tjera të qytetit, në mënyrë që ato të përshtaten me dukjen e Prizrenit, si qytet i trashëgimisë kulturore.

Drejtoresha e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Prizrenit, Sevil Kazaz, ka theksuar se projekti i ndriçimit të monumenteve të trashëgimisë kulturore po fillon nga Ura e Gurit, për arsye se kjo urë e shekullit XV është simbol i qytetit të vjetër.

“Jemi te Ura e Gurit që daton prej shekullit XV. Është ikonë apo simbol i qytetit të vjetër të Prizrenit. Jemi shumë të lumtur që kemi filluar ndriçimin nga Ura e Gurit dhe në ditët e ardhshme do të bëjmë edhe projekte të ngjashme”, ka thënë Kazaz, duke shtuar se mirëmbajtja e këtij ndriçimi do të bëhet nga Drejtoria e Shërbimeve Publike.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se projekti është vonuar shkaku i marrjes së pëlqimeve nga autoritetet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore.

“Është vonuar ky projekt pak sivjet për shkak të lejeve të ndryshme që duhet të merren nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore dhe nga Këshilli i Trashëgimisë Kulturore, edhe në atë aspekt pas aprovimit të projektit nga ana e tyre tani sonte e kemi ndriçimin”, ka thënë Haskuka. Sipas tij, tani e tutje ndriçimi në këtë monument do të aktivizohet në mënyrë automatike.

Ai ka shtuar se ndriçimi dekorativ do të aplikohet edhe te monumentet e tjera të trashëgimisë kulturore. Njëherësh ka paralajmëruar intervenime edhe në urat e tjera të qytetit.

“Kështu, urat e qytetit do të marrin pamje më ndryshe dhe më të bukur sipas dukjes që e ka Prizreni, si qytet i vjetër edhe si qytet i trashëgimisë kulturore”, ka deklaruar Haskuka.

Ura e Gurit që gjendet në zonën historike të Prizrenit, sipas të dhënave në databazën e trashëgimisë kulturore të MKRS-së, është monument nën mbrojtje të përhershme.

“Mbi Lumbardhin e Prizrenit, në rrjedhat e historisë, u ngritën shumë ura, por pa dyshim më e veçanta që u shndërrua në simbol të qytetit është Ura e Gurit”, shkruan në databazë. Në anën lindore të saj gjendet Ura e Arastës, kurse në anën perëndimore gjendet Ura e Naletit, dhe ajo lidh drejtpërsëdrejti Sheshin Shatërvan (në anën e majtë të lumit) dhe Saraçhanën (në të djathtë të lumit).

“Burimet historike nuk ofrojnë të dhëna për kohën e saktë të ndërtimit të saj. Në bazë të materialit, stilit, teknikës së ndërtimit, supozohet se ura është ndërtuar kah fundi i shekullit XV, ose në fillim të shekullit XVI”, thuhet në databazën e TK të MKRS-së.

Sipas këtyre të dhënave, ura e vjetër ishte ndërtuar me gurë cilësorë të përpunuar dhe të lidhur ndërmjet vete me llaç gëlqeror, dhe ishte triharkore, ku harku i mesëm ishte më i madh, kurse harqet anësore më të vogla. Gjatësia e urës së dikurshme ishte përafërsisht 30 metra, ndërkaq e urës së tanishme është 17 metra. Kjo, pasi që, sipas informatave të publikuara nga MKRS-ja, përgjatë rrjedhave të historisë ura ka përjetuar disa ndryshime të mëdha.

“Ajo pësoi dëme serioze strukturale gjatë ndërtimit të shtratit të Lumbardhit, në vitet ‘60. Me këtë rast mbyllet krejtësisht harku i saj, në të majtë të lumit. Ndërkaq harku i anës së djathtë pësoi me rastin e ndërtimit të aksit rrugor, në anën e djathtë të lumit, më 1963. Urës rreziku më i madh i erdhi nga faktorët natyrorë. Vërshimi i lumit më 17/18 nëntor të vitit 1979 shkaktoi rrënimin e urës në tërësi”. Në databazë theksohet se prizrenasit të mallëngjyer për shkatërrimin e urës u mobilizuan për rindërtimin e saj. Ura e rindërtuar u inaugurua më 17 nëntor 1982.

“Kështu, ura natyrshëm vjen në ambientin e vet dhe vazhdon ta kryejë funksionin e urës për këmbësorë”, thuhet në databazë, ku theksohet se Ura e Gurit që nga fundi i vitit 1948 gëzon mbrojtje shtetërore për shkak të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë.

Ish-autoritetet komunale të Prizrenit, në gusht të vitit 2013 patën përuruar ndriçimin dekorativ të Kalasë së Prizrenit.

Kategoritë
LajmeVendi