URA e Abazoviqit ngre alarmin se lideri i saj po kërcënohet nga një klan mafioz rajonal

Lëvizja Qytetare URA ka alarmuar opinionin në Mal të Zi se lideri i saj Dritan Abazoviq, në vazhdimësi është duke u kërcënuar në forma të ndryshme.

Drejtori ekzekutiv i URA-s, Zoran Mikiq, ka thënë sot në një konferencë për media se në rast se i ndodh ndonjë gjë politikanit shqiptar nga Ulqini, Abazoviqit apo ndonjë familjari të tij, atëherë përgjegjës do të jetë drejtori i Policisë në këtë vend, Veselin Veloviq.

“Ne nuk duam askënd direkt ta akuzojmë apo ta shënjestrojmë, por duam që të njoftojmë opinionin me ngjarjet që po ndodhin”, ka thënë Mikiq, përcjell gazeta Vijesti.

Ai ka shtuar se nga 30 shtatori kur janë mbajtur zgjedhjet në Mal të Zi, e ku URA ka fituar katër mandate në Parlament, Abazoviq ka marrë me dhjetëra kërcënime. Ato kanë ardhur përmes telefonit dhe rrjeteve sociale. Sipas tij, disa njerëz i kanë shfaqur edhe para shtëpisë së tij në Ulqin.

“Kemi informacion se një klan rajonal mafioz dëshiron të kërcënojë jetën e tij dhe të familjes së tij”, ka thënë Mikiq, për të shtuar se në këtë klan bën pjesë një qytetar malazez që jeton në Mal të Zi.

Mikiq ka thënë se është kërkuar nga Policia të vlerësojë situatën e rrezikshmërisë, por nga 3 shtatori, kur është shtruar kjo kërkesë, nuk kanë marrë përgjigje.

Më herët, edhe vetë Abazoviq kishte bërë të ditur për kërcënimet që ka marrë.

URA e Abazoviqit ishte kyç për të rrëzuar pushtetin gati 30-vjeçar të Milo Gjukanoviqit. URA ka lidhur marrëveshje me partitë opozitare dhe së shpejti pritet të formohet Qeveria në krye me Zdravko Krivokapiqin.

Kategoritë
LajmeRajoni