Në muajt e fundit, forcat ruse kanë thyer mbrojtjen ukrainase në disa sektorë, duke detyruar ukrainasit që javët e fundit të fillojnë forcimin e linjave të mbrojtjes.
Në një kuptim më të gjerë, programi për forcimin e vijës së frontit ka nisur prej dy vjetësh. Megjithatë, përparimi i tij është vështirësuar më shumë se një herë nga vonesat, bombardimet, madje edhe arrestimet për dyshime për korrupsion.
Gjatë 18 muajve të fundit, forcat ruse kanë shfrytëzuar pjesë të papërfunduara të mbrojtjes në veri dhe kanë thyer disa pika të dobëta fronti. Ukraina shpreson tani se një brezi i trefishtë fortifikimesh do të parandalojë goditje të ngjashme në lindje.
— Linja e parë e mbrojtjes ndërtohet zakonisht nga njësitë e këmbësorisë,
— Linja e dytë nga trupat inxhinierike,
— Dhe e treta nga administratat civile lokale.
Këto linja më të thella mbrojtjeje synohen të mbrojnë qytetet kyçe dhe të forcojnë kufijtë rajonalë.
Ky sistem është dizajnuar për të ndaluar armikun para se të përparojë thellë në territorin ukrainas, por nëse bie shpejt linja e parë, edhe dy të tjera rrezikohen.
Në vitin 2024, Ukraina ndau mbi 46 miliardë hrivnja për ndërtimin e këtyre fortifikimeve, një shpenzim që përbën dy për qind të buxhetit të saj ushtarak.
Gropat moderne tani gërmohen më thellë dhe pajisen me strehimore për njësitë e vogla dhe me postacion komande për operatorët e dronëve, ku roli kryesor i gropave është mbrojtja nga sulmet e dronëve FPV.