Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione për zyrtarët e Autoritetit Palestinez dhe anëtarë të Organizatës për Çlirimin e Palestinës, duke u ndaluar atyre marrjen e vizave për në SHBA
Departamenti i Shtetit njoftoi se personave të prekur nga këto masa do t’u refuzohet viza për udhëtim në SHBA, edhe pse nuk përmendën emra konkretë.
„Është në interesin tonë të sigurisë kombëtare të vendosim pasoja dhe t’i bëjmë PLO-në dhe Autoritetin Palestinez përgjegjës për mosrespektimin e detyrimeve të tyre dhe për dëmtonj e perspektivave të paqes“, tha Departamenti i Shtetit.
Në njoftim thuhet se dy organizatat palestineze „kanë ndërmarrë hapa drejt ndërkombëtarizimit“ të konfliktit të tyre me Izraelin, duke përfshirë përmes Gjykatës Penale Ndërkombëtare, dhe se të dyja kanë vazhduar „të mbështesin terrorizmin“.
Autoriteti Palestinez dhe PLO-ja përfaqësojnë popullin palestinez dhe prej kohësh kërkojnë njohje ndërkombëtare të shtetit palestinez nga organizata e shtete të huaja.
Ka shenja për divergjenca diplomatike në rritje mbi shtetësinë palestineze mes Uashingtonit dhe tri vendeve tjera anëtare të G7.
Kanadaja njoftoi se planifikon të njohë Shtetin e Palestinës në sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator, duke rritur presionin mbi Izraelin ndërsa uria përhapet në enklavën palestineze.
Franca javën e kaluar deklaroi se do të mbështesë shtetësinë palestineze, ndërsa Britania të martën tha se do ta bëjë të njëjtën gjë në asamblenë e OKB-së në shtator nëse luftime në Gaza nuk ndalen deri atëherë.
Presidenti amerikan Donald Trump insiston se njohja e shtetit palestinez do të shpërblente padrejtësisht Hamasin, grupin që lufton kundër Izraelit në Rripin e Gazës. Që nga rikthimi në detyrë në janar, ai ka qenë i paqartë lidhur me zgjidhjen me dy shtete të konfliktit midis Izraelit dhe palestinezëve.
Zëvendës-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, refuzoi të përgjigjej nëse veprimi amerikan lidhet me planet e tri vendeve për të njohur Palestinën, apo nëse është një hakmarrje.
Për pyetjen në lidhje me kohëzgjatjen e sanksioneve, ai tha në konferencën e rregullt për shtyp se ato janë pasojë e raportit gjysmëvjetor të dorëzuar Kongresit mbi përmbushjen e detyrimeve palestineze.
Nuk është menjëherë e qartë se si do të ndikojë ndalimi i vizave tek diplomatët palestinezë.
Sipas „konventës për selitë“ të OKB-së të vitit 1947, SHBA-të janë themelorisht të detyruara të lejojnë hyrjen e diplomatëve të huaj të OKB-së në Nju Jork.
Megjithatë, Uashingtoni thotë se mund të refuzojë viza për arsye sigurie, antiterrorizëm dhe politike të jashtme.














