Udhëtarët nga Kosova ndalen në Kapikule – kompania “Dita” me më shumë pasagjerë se të regjistruar

Dhjetëra udhëtarë nga Kosova janë bllokuar sot për orë të tëra në pikën kufitare të Kapikule-s, në hyrje të Turqisë, pasi kompania “Dita” kishte tejkaluar numrin e udhëtarëve të regjistruar në sistem. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, në autobus ndodheshin 56 persona, ndërsa vetëm 48 ishin të paraqitur në dokumentacionin zyrtar.

Autoritetet turke kanë refuzuar hyrjen e autobusit, duke krijuar kaos dhe pasiguri te udhëtarët, shumë prej të cilëve ndodheshin me familje dhe kishin planifikuar pushimet e tyre në Turqi.

Në komunikimet mes udhëtarëve dhe përfaqësuesve të agjensionit, përfaqësuesi i agjensionit  shprehet se janë “duke u munduar të gjejnë një zgjidhje”.

“Na kanë ndalë në kufi. Thonë jeni 56 veta, kurse në sistem janë vetëm 48 të regjistruar. Nuk na lejojnë me hy,” shprehet një nga udhëtarët për redaksinë tonë.

Udhëtarët kanë shprehur zhgënjim dhe shqetësim për mungesën e transparencës dhe papërgjegjësinë e agjensionit. Ata kërkojnë që kompania “Dita” të mbajë përgjegjësi për vonesën dhe pasojat e mundshme që kjo ndalesë mund të sjellë në udhëtimin e tyre.

Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk ka ndonjë reagim zyrtar nga kompania “Dita” apo autoritetet kompetente

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi