Presidentët e Iranit dhe Turqisë, Masoud Pezeshkian dhe Recep Tayyip Erdoğan, u takuan të premten në qytetin azerbajxhanas Khankendi (ish-Stepanakert), në kuadër të samitit të 17-të të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik (ECO).
Ky ishte takimi i parë bilateral ndërmjet presidentit turk dhe atij iranian që pas luftës mes Izraelit e Iranit.
Detajet e diskutimeve pas dyerve të mbyllura nuk u zbuluan menjëherë, por zgjedhja e Khankendit mban një mesazh të qartë politik. Khankendi, ish-kryeqyteti i vetëshpallur i Republikës Armene të Arcachut, është tani nën kontroll të plotë të Azerbajxhanit pas riintegrimit ushtarak të rajonit Nagorno-Karabakh.
Samiti i ECO-së në këtë qytet ka rëndësi të veçantë për Azerbajxhanin, i cili e sheh si konfirmim të sovranitetit territorial mbi një rajon që dekada me radhë ka qenë objekt mosmarrëveshjesh dhe përplasjeve mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.
ECO është një organizatë ndërqeveritare politike dhe ekonomike, themeluar në 1985 me nismë të Turqisë, Iranit dhe Pakistanit për të forcuar bashkëpunimin rajonal dhe për të promovuar tregtinë, investimet, lidhjet transporti dhe bashkëpunimin energjetik. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik iu bashkuan edhe: Azerbajxhani, Kazakistani, Uzbekistani, Turkmenistani, Kirgistani, Tadxhikistani dhe Afganistani. Republika Turke e Qipros së Veriut ka status vëzhguesi.
Në fjalën e tij për pjesëmarrësit, Presidenti Erdoğan theksoi përpjekjet intensive të Turqisë për të parandaluar zgjerimin e konfliktit mes Iranit dhe Izraelit në një shkallë më të gjerë në Lindjen e Mesme.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, në fjalën e tij nënvizoi rëndësinë e rindërtimit të rajonit të mëparshëm të Nagorno-Karabakhut dhe veçoi të drejtën e kthimit të azerbajxhanasve të dëbuar nga Armenia.
“Ne e vlerësojmë lart miratimin e rezolutës nga Këshilli i Ministrave i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, i mbajtur muajin e kaluar në Stamboll, që shprehu në mënyrë unanime mbështetjen për të drejtën e kthimit të azerbajxhanasve të detyruar të larguar nga Armenia,” tha Aliyev.
Samitin e ndoqën presidentë e kryeministra nga dhjetë vendet anëtare të ECO-së, ministrat e jashtëm dhe përfaqësues të vendeve vëzhguese, përfshirë Republikën Turke të Qipros së Veriut dhe Organizatën e Shteteve Turke.