Udhëheqësi i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, vendosi rekordin për fjalimin më të gjatë në historinë moderne të Dhomës, duke folur për orë të tëra në një protestë kundër projektligjit të brendshëm të presidentit Donald Trump.
Rekordin e mëparshëm e mbante udhëheqësi i pakicës, Kevin McCarthy, që në nëntor të vitit 2021 mbajti një fjalim 8 orë e 32 minuta për të shtyrë votimin e planit të Joe Biden për zgjerim masiv të sigurimeve sociale.
Jeffries nisi “maratonin” në orën 4:53 të mëngjesit (Ora Lindore) dhe foli me ngadalë, duke bërë pauza të gjata midis fjalëve e frazave. Ai ndau histori të amerikanëve që do të prekeshin nga ulja historike e programit Medicaid dhe nga dispozitat e tjera në projektligjin gjigant të Partisë Republikane.
Pas 8 orë e 44 minuta, Jeffries përmbylli fjalimin, duke iu referuar trashëgimisë së aktivistit për të drejtat civile dhe kongresmenit nga Georgia, John Lewis, dhe betuar se demokratët “do të vazhdojnë të ushtrojnë presion”.
“Pa marrë parasysh rezultatin, në këtë ditë unike, ne do të vazhdojmë të ushtrojmë presion. Do të vazhdojmë të ushtrojmë presion derisa të arrijmë fitoren,” tha ai.
Kur ia ktheu fjalën kryetarit të Dhomës, demokratët shpërthyen në duartrokitje dhe brohoritën “Hakeem”.
Jeffries përdori instrumentin ligjor të quajtur “minutë magjike” (“magic minute”), që u lejon udhëheqësve partiakë në Dhomën e Përfaqësuesve të flasin sa të duan.
Trump e kishte lavdëruar më parë McCarthy-n, pasi ky mbajti fjalimin rekord në 2021, duke e quajtur të shkëlqyer për mbrojtjen e agjendës së tij.