Edan Alexander, një ushtar i forcave izraelite me shtetësi të dyfishtë izraelito-amerikane, u lirua nga robëria në Gaza të hënën. Ai ishte mbajtur i burgosur që nga 7 tetori 2023.
Marrëveshja për lirimin e tij u arrit përmes ndërmjetësimit të administratës Trump dhe ndërmjetësve rajonalë, kryesisht duke anashkaluar Izraelin.
Alexander iu dorëzua Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Khan Younis në orën 18:30 me kohën lokale, dhe prej andej kaloi në territorin izraelit.
“Konfirmojmë se negociatat serioze dhe të përgjegjshme sjellin rezultate për lirimin e të burgosurve. Megjithatë, vazhdimi i agresionit vetëm sa e zgjat vuajtjen e tyre dhe mund edhe t’i vrasë. I bëjmë thirrje administratës Trump të vazhdojë përpjekjet për t’i dhënë fund këtij lufte brutale që krimineli i luftës Netanyahu po zhvillon kundër fëmijëve, grave dhe civilëve të pafajshëm në Rripin e Gazës”, deklaroi Hamasi.
Brigadat al-Qassam, krahu ushtarak i Hamasit, publikuan të hënën një fotografi menjëherë pasi kishin dorëzuar pengun izraelito-amerikan Edan Alexander tek Kryqi i Kuq.
Alexander, i cili qëndron në mes pranë përfaqësuesit të Kryqit të Kuq dhe tre anëtarëve të Brigadave, shihet në gjendje të mirë shëndetësore pas 19 muajsh robëri.
Pas lirimit, Edan Alexander u takua me prindërit e tij në Izrael. Ai ishte pengu i fundit i gjallë me shtetësi amerikane.
Ai u lirua pas negociatave direkte midis SHBA-së dhe Hamasit në Katar, të cilat kishin për qëllim sigurimin e lirimit të tij. Këto negociata i mbajtën jashtë procesit zyrtarët izraelitë, të cilët morën informacion të përditësuar vetëm pasi u arrit marrëveshja.
Alexander, shtetas i dyfishtë i rritur në New Jersey, shërbente në Brigadën Golani të ushtrisë izraelite në kohën kur u kap rob. Hamasi e kishte zënë në bazën e tij pranë komunitetit kufitar Nirim në Gaza, i njohur si “postblloku i Shtëpisë së Bardhë”.