U dënua me burg, Sarkozi: Përndiqem prej 10 vitesh, me zor gjetën diçka për të më fajësuar

Ish-presidenti francez, Nikola Sarkozi, thotë se do luftojë për të mbrojtur reputacionin e vet.

Të hënën, gjykata e dënoi ish-kreun e shtetit me tre vjet burg për korrupsion, gjykim që ai mund ta apelojë në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

“Prej 10 vitesh jam mësuar me përndjekje të tilla. Caktuan me dhjetëra gjyqtarë, me dhjetëra policë, kërkuan letra porosie nga gjithë bota për të gjetur me zor diçka për të më fajësuar.”

66-vjeçari akuzohet se në vitin 2007 mori miliona euro nga ish-diktatori libian, Muamar Gadafi, për të financuar fushatën e tij presidenciale.

Sipas akuzës, kur çështja nisi të hetohej, ai i kërkoi avokatit të vet t’i premtojë gjyqtarit të çështjes një post më të mirë nëse e informonte rreth hetimeve.

“Nuk lanë gur pa kthyer gjatë 7 viteve hetim. Në fund, e vetmja gjë që mbeti ishin telefonatat me avokatin, ku pretendohet se do e shpërbleja dikë për të marrë informacion për gjyqin tim. Personi nuk e mori postin, unë nuk mora vendimin që doja dhe tani dënohem për diçka që pretendohet se kërkoja.”

“Francezëve ju them se jam njeri si gjithë të tjerët, me një numër të madh gabimesh gjatë jetës, profesionale dhe personale. Dhe nëse më pyesni a e shoh dot veten në pasqyrë, ju them, po.”-Nicolas Sarkozy

Ish-presidenti francez pas dy javësh do të gjykohet për një tjetër çështje, për shpenzimet e tepruara në fushatën për mandatin e dytë presidencial.

Ndërkohë, me vendimin e fundit, nga tre vjet dënim që dha gjykata, Sarkozi do vuajë vetëm një në kushtet e shtëpisë.

Kategoritë
BotaLajme